Himni kombëtar i Bosnjës mbetet ende pa tekst
Dy dekada pas luftës, politikanët boshnjakë ende nuk bien dot dakord për tekstin e himnit kombëtar.
Nga Rodolfo Toe, BIRN
Ekipi kombëtar i futbollit i Bosnjës, si të gjitha ekipet e tjera sportive, ende vihet ndonjëherë në lojë – në vend dhe jashtë tij – kur lojtarët ngrihen në këmbë për himnin e tyre kombëtar, por nuk mund t’i këndojnë fjalët.
Kjo është për shkak se himni ende nuk ka asnjë fjalë. Për më tepër, dilema mbi tingullin pafjalë duket se do të vazhdojë, pasi një përpjekje tjetër për t’i bashkangjitur fjalë himnit kombëtar ka dështuar keqazi.
Dhoma e Përfaqësuesve në Parlament të mërkurën refuzoi propozimin e Semsudin Mehmedoviç, një politikani nga Partia kryesore Boshnjake për Veprim Demokratik, SDA, që sugjeroi formimin e një komisioni të ri për të shqyrtuar çështjen.
Asim Mujkiç, profesor i Fakultetit të Shkencave Politike në Sarajevë, tha se vështirësia në arritjen e një konsensusi mbi himnin reflekton faktin se vendi mbetet i copëtuar nga pikëpamjet nacionaliste të kundërta.
“Bosnja dhe Hercegovina është ende nën ndikimin e nacionalizmave të ndryshme disintegrative, të cilat kundërshtojnë idenë e përforcimit të konceptit të një shteti unitar dhe të centralizuar… kjo vlen edhe për simbolet e bashkimit kombëtar, si himni”, tha për BIRN Mujikiç.
Bosnja është një nga vendet e pakta në Europë, së bashku me Spanjën, që nuk kam asnjë tekst zyrtar në himnin e tyre kombëtar.
Vendi miratoi himnin e vet të parë kombëtar, Jedna si jedina [Ti je i vetmi] pas pavarësisë në vitin 1992. Pas fundit të luftës të viteve 1992-5, kjo këngë u hoq pas pretendimeve të kroatëve të Bosnjës dhe serbëve se përfaqësonte vetëm një nga tre “popujt përbërës” të Bosnjës, boshnjakët.
Në vend të tij , autoritetet boshnjake në vitin 1999 miratuan këngën INTERMECO shkruar nga Dushan Sestiç, një kompozitor boshnjak që jeton në Banja Luka.
Por autoritetet boshnjake nuk arritën të bien dakord për tekstin që do të shoqëronte himnin. Në vitin 2009, një komision parlamentar pranoi tekstin e shkruar nga vetë Sestiç dhe Benjamin Isoviç, që përfundonte me thirrjen: “Po shkojmë së bashku drejt të ardhmes”.
Por parlamenti nuk e miratoi kurrë tekstin.
Duke folur para seancës parlamentare të mërkurën, Isoviç tha në rrjetin televiziv N1 se propozimi për të krijuar edhe një komision tjetër për të ofruar fjalët për himnin ishte i pakuptimtë.
“Ky propozim është vetëm një absurditet në jetën e përditshme të vendit tonë të pakënaqur. Ata duan të organizojnë një konkurs të ri për tekstin, pa llogaritur të mëparshmin,” tha ai.
“Kjo është me të vërtetë jo serioze – por në një farë mënyre është edhe normale… duke marrë parasysh se çfarë ndodh në këtë vend, pse duhet himni kombëtar bëjë përjashtim?”, pyeti Isoviç.
Pak boshnjakë ndjehen të lidhur me himnin e tyre kombëtar. Shumë boshnjakë e konsiderojnë himnin e ri si diçka që ishte imponuar artificialisht në vend dhe në shumë organizime, sidomos kur luan ekipi kombëtar i futbollit, ata ende këndojnë himnin e vjetër të kohës së luftës.
“Bosnja e ka një himn kombëtar me tekst dhe të gjithë e njohin,” tha për BIRN Adnan Imamoviç, një banor 53-vjeçar nga Sarajeva, duke iu referuar himnit të kohës së luftës.
“Bosnja e kishte tashmë flamurin e saj zyrtar, flamurin e bardhë me një stemë blu dhe zambakë të artë [flamurin e miratuar gjatë luftës] dhe kishte po ashtu himn. Çdo gjë tjetër është imponuar vetëm nga jashtë dhe unë nuk ndjej ndonjë gjë në lidhje me të- qeveria mund të bëjë çfarë të dojë, ” tha ai.
Kroatët boshnjakë dhe serbët në mënyrë të përsëritur shpërfillin himnin gjithashtu. Shumë ndihen më të lidhur me Kroacinë ose Serbinë, i injorojnë ekipet sportive të Bosnjës dhe këndojnë himnet kombëtare kroate dhe serbe.
Disa boshnjakë gjithashtu besojnë se autoritetet duhet të jetë duke u fokusuar në situatën e zymtë ekonomike dhe sociale, në vend që të merren me tekstin për himnin kombëtar.
“Ne kishim një komision në të shkuarën që u mor me këtë temë dhe asgjë nuk është bërë,” tha për BIRN Eldina Spahiç, një tjetër banore e Sarajevës.
“Unë nuk mendoj se ky është një prioritet për qeverinë… ajo duhet të adresojë të tjera çështje më urgjente, si varfëria apo papunësia, ” tha ajo.