Holokausti në Serbi dhe Kroaci drejt fshirjes nga kujtesa historike

Në Serbi dhe Kroaci ka tendenca shumë të ngjashme për rishkrimin e historisë kombëtare. Këto përpjekje përkojnë me diskursin populist dhe nacionalist që dominon prej vitesh trevat e ish-Jugosllavisë.

Në qershor të vitit 1942 në zyrat e Rajhut në Berlin arriti një telegram nga Beogradi. “Në Serbi nuk ka më asnjë çifut”, i njoftonte me krenari shefit të tij Heinrich Himmler, Emanuel Sheferi, komandanti SS i Policisë së Shtetit në Serbi. Kështu Serbia ishte vendi i parë ballkanik, që rreth 14 muaj pasi trupat gjermane kishin marshuar në Beograd, pretendoi se kishte realizuar qëllimin e shpallur të nazistëve, zhdukjen e çifutëve apo sikurse thuhej “zgjidhjen përfundimtare”.

Disa prej rreth 12,500 hebrenjve që jetonin asaj kohe në Serbi u deportuan në kampet gjermane të përqendrimit si Aushvic, Buhenvald dhe Mauthausen. Por shumica e tyre u vranë në kampet e përqendrimit në Beograd, tregon shkrimtari dhe publicisti Ivan Ivanji, “pikërisht në kampin tek zona e panairit të vjetër Staro Sajmishte, ku u vranë rreth 6,300 hebrenj ndër ta edhe nëna ime, dhe në kampin Topovske Supe, ku gjetën vdekjen rreth 3,000 vetë, ndër ta edhe babai im.” Ivanin vetë e internuan në kampin e Aushvicit dhe më pas në atë të Buhenvaldit.

Mungesa e kulturës së kujtesës

Pas vrajes së hebrenjve serbë, në tri kampet e Beogradit u sollën të burgosur të tjerë: romë, komunistë dhe partizanë, ndër ta dhe shumë serbë. Vetëm në kampin e përqëndrimit të Sajmiste, u mbajtën dhe u torturuan gjatë luftës rreth 40,000 vetë dhe u vranë më shumë se 10,000 të tjerë.

Megjithatë sot, si edhe në ish-Jugosllavinë e Titos, vështirë se ka ndonjë gjë që të kujton Holokaustin në Serbi dhe mizoritë në kampet e përqendrimit të Beogradit. Edhe pse zona e panairit të vjetër u shpall në vitin 1987 si “pasuri kulturore” dhe aty u ngrit një monument për viktimat, që të dyja janë harruar prej kohësh, dhe zona është lënë plotësisht pas dore.

“Në Serbi përkujtohet dhe festohet lufta kundër fashizmit”, thotë Ivanji. Edhe kjo është e rëndësishme dhe e drejtë. “Por viktimat nuk përkujtohen, ato nuk janë interesante”. Vitin e kaluar ai ishte në Gjermani disa herë, dy herë në Vajmar dhe në Hamburg, ku ka folur para studentëve rreth Holokaustit. “Nga Serbia nuk kam marrë as edhe një ftesë të vetme.” – thotë ai. Sipas tij brezat e rinj duhet ta marrin vesh historinë, sepse “ne e dimë se ku ishim dhe çfarë ndodhi.”

Revizionimi i historisë

Kryeministri i atëhershëm i qeverisë kuislinge Milan Nedic kujdesej për arrestimin e hebrejve, romëve apo të të tjerëve dhe për dërgimin e tyre në kampet e përqëndrimit. Por edhe pse ai ka bashkëpunuar ngushtë me pushtuesit gjermanë në Serbi ka përpjekje për rehabilitimin e tij. Ai konsiderohet si patriot sikurse edhe komandanti i çetnikëve, Draza Mihajlovic dhe bashkëpunimi i tij me nazistët si “politikë e zgjuar” .

Këto përpjekje përkojnë me diskursin populist dhe nacionalist që dominon prej vitesh trevat e ish-Jugosllavisë. Jo vetëm në Serbi, por edhe në Kroaci po ndërmerret që në vitet 1990 një revizionim i historisë, thotë historiani nga Zagrebi, Ivo Goldstein. Edhe pjesa më e madhe e familjes së tij gjeti vdekjen në kampet e përqëndrimit në Jasenovac apo Aushvic.

Jasenovaci ishte kampi më i madh i përqendrimit në Evropë, i cili nuk ishte ngritur dhe nuk drejtohej nga gjermanët. Ustashët kroatë themeluan me mbështetjen gjermane në prill të vitit 1941 të ashtuquajturin Shteti i Pavarur Kroat (NDH) me në krye një regjim fashist të varur nga Gjermania naziste. Regjimi adoptoi menjëherë ligjet raciste të nazistëve dhe nisi përndjekjen dhe vrasjen sistematike të serbëve, të hebrenjve, të romëve dhe të kroatëve opozitarë. Jasenovaci u bë kampi qendror i mbledhjes dhe i shfarosjes – dhe konsiderohet  si “Aushvici i Ballkanit”. Deri tani njihen me emër më shumë se 83,000 vetë të vrarë aty.

Nacionalistët bashkëpunojnë ngushtë së bashku

Që Presidenti i parë i Kroacisë së sotme, Franjo Tuxhman, nisi t’i relativizojë krimet e ustashëve dhe t’i konsiderojë ata si pjesë të lëvizjes kombëtare kroate, edhe pse vetë dikur kishte qenë gjeneral në ushtrinë partizane të Titos dhe gjithmonë këmbëngulte për bazat antifashiste të shtetit të ri kroat.

“Prej disa vjetësh kjo ka ndryshuar”, thotë Goldstein. Vala e re e revizionizmit është bërë akoma edhe më radikale dhe rolet në histori po përmbysen. “Sot ustashët konsiderohen nga një pjesë e kroatëve si “njerëz të mirë” sepse ata janë kroatë dhe katolikë. Kurse partizanët akuzohen si jugosllavë dhe komunistë, duke qenë kështu automatikisht “të liq.”

Revizionimi  i historisë shkon madje aq larg sa që qeveria në Zagreb mbështet financiarisht një shoqatë që dëshiron ta konsiderojë kampin e përqëndrimit të Jasenovacit kryesisht si kamp pune, në të cilin janë vrarë vetëm disa të internuar në situata shumë të jashtëzakonshme.

Ajo që bie në sy është se në Serbi dhe Kroaci ka tendenca shumë të ngjashme për rishkrimin e historisë kombëtare: kombi yt gjithmonë e ka bërë gjithçka në rregull. “Këto procese janë paralele. Ekstremistët dhe nacionalistët serbë dhe kroatë punojnë shumë mirë së bashku,” thotë historiani nga Zagrebi Ivo Goldstein.

DW

SHKARKO APP