Katolikët e Maqedonisë ,25 vjet pa prift shqiptar dhe meshë shqip
Besimtarët katolikë dhe ortodoksë në mbarë botën, festojnë sot ditën e ringjalljes së Krishtit, Pashkët – një nga festat më të rëndësishme në kalendarin e të krishterëve.
Këtë festë e feston edhe komuniteti katolik dhe ai i shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni. Por, përvec gëzimit padyshim të madh të besimtarëve, shqiptarët katolikë të Maqedonisë edhe në këto Pashkë përballen me problemet e vjetra, shkruan lajmpress.com.
Numri i besimtarëve katolikë shqiptarë në Maqedoni është në rënie dhe e gjithë kjo ndodh për shkak të mungesës së priftërinjve shqiptarë. Është një problem që aktualizohet në cdo festë fetare, por që harrohet menjëherë pas mbarimit të festave.
Para plot 20 viteve është mbajtur mesha e fundit në gjuhën shqipe thotë Anton Sereqi, përfaqësues i besimtarëve katolikë shqiptarë në Maqedoni. Prej atëherë, shton ai, “mbetëm disi anash, pa predikues, pa një bari të vërtetë, na merr malli kur shkojmë në Ferizaj, Prizren e Letnicë”.
“Mjerisht ne në Shkup, në vendlindjën e shenjtës Nënë Terezë akoma nuk mund ta përcjellim meshën në gjuhën amtare. Me të vërtetë është një problem i cili ekziston vite me radhë, tanimë 25 vite ne nuk kemi prift shqiptar. Pasi Don G. Xhini ndërroi jetë prej atëhere ne nuk kemi prift shqiptar dhe të gjitha ritet që duhet t’i zhvillojmë në kishë, pagëzime martesa morte ne nuk mundemi ti përcjellim në gjuhën amtare. Edhe një herë lus të gjithë ata faktorët që mund të na ndihmojnë, sepse shoh se partitë polike shqiptare bëjnë çmos që shqiptarët ortodoksë të kenë kishën e vet dhe pa e pasur këtu kishën tonë të Nënës Terezë nuk e shoh si mund ta përballojmë këtë problem pa ndihmën e shoqërisë tonë”, tha Sereqi.
Besimtarët katolikë në Maqedoni shpresojnë se Pashkët e ardhëshme do t’i urojnë në gjuhen shqipe, shkruan portali i gazetës “Lajm” të Shkupit,