Këshilltarja e Kurtit: U ndalova në kufi nga policia serbe! Kryeministria: Shkelje e lirisë së lëvizjes
Këshilltarja politike e kryeministrit të Kosovës për vendet si Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Ardita Sinani thotë se është ndaluar në kufi nga policia kufitare serbe. Referuar deklaratës së saj, ndalimi u argumentua si urdhër që kishin marrë nga baza dhe për pasojë nuk mund ta kalonte kufirin pa marrë pëlqimin, po nga baza.
”Sot, rreth orës 10:00 në vendkalimin kufitar me Republikën e Kosovës, në Muçibabë, jam ndaluar nga policia kufitare serbe për mbi një orë. Arsyetimi i vetëm që mu dha nga policët kufitarë të Serbisë “Kemi urdhër për ndalimin tuaj dhe nuk mund të të lejojmë ta kalosh kufirin pa marrë pëlqim nga baza”.
Asnjë sqarim shtesë për arsyen, apo se kush është baza që duhet pyetur dhe marrë leje për të kaluar kufirin. Kjo mbase mund të jetë kostoja e të qenurit Këshilltare Politike e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, por sigurisht nuk do të jet mjeti me të cilin do të heshtet zëri për të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Ky rast, sigurisht do të jetë vetëm shtytje edhe më e madhe për të folur me zë edhe më të lartë për diskriminimin shtetërorë serb ndaj shqiptarëve. E ndalimi nga policia në kufi, është vetëm njëra ndër to, e që është edhe metodë e vjetër politike e shtypjes e etërve politik të udhëheqësve aktual të Serbisë”,-shkruan zyrtarja.
Zyra e Kryeministrisë thotë se ky ndalim është shkelje rëndë e të drejtës themelore, lirisë së lëvizjes. Gjithashtu, në reagim përmendet edhe raporti i Komitetit të Helsinkut, ku është theksuar që Serbia po kryen spastrim etnik të shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga autoritete serbe.