Konferenca e Rodos për Sigurinë dhe Stabilitetin bën bashkë vendet e botës Arabe dhe të Ballkanit

Konferenca e dytë  për Sigurinë dhe Stabilitetin, e cila do të organizohet në Rodos, më 22 dhe 23  Maj 2017, do  të jetë vazhdimi i një nisme  të Ministrit të Jashtëm  të Greqisë z. Nikos Kotzias, nëpërmjet së cilës synohet hartimi i një agjende  pozitive bashkëpunimi  midis vendeve  të botës arabe,  të Ballkanit  dhe të Mesdheut juglindor.

Në Konferencën e pritshme të Rodos do të marrin pjesë  Ministra të Jashtëm dhe  funksionarë të lartë  nga vende të ndryshme, të cilët do të diskutojnë  mbi sfidat me të cilat përballet rajoni i Mesdheut Lindor  në fushën e sigurisë  dhe do të shqyrtojnë mundësi avancimi të aktiviteteve të përbashkëta  në fushat e kulturës, të arsimimit dhe të ambientit. Tema kryesore e Konferencës do të jetë  bashkëjetesa  dhe bashkëpunimi  në kushte paqeje dhe stabiliteti (‘’Live and Work Together  in peace and Stability’’)

Konferenca e parë  për Sigurinë dhe Stabilitetin, e cila  u mbajt vjet në Rodos (8-9/9/2016), tregoi vlerat e mëdha  që ofron dialogu konstruktiv mbi çështje që ndihmojnë në avancimin e bashkëpunimit, si midis Qeverive, ashtu edhe midis bizneseve, qytetarëve, universiteteve dhe qëndrave kërkimore mbi çështje  të interesit të përbashkët. Qasja pozitive dhe krijuese  me të cilën u shqyrtuan  çështjet konkrete – e njohur tashmë edhe si ‘’fryma e Rodos ‘’ – nga një anë, është e sigurtë që  rrit akoma më shumë mundësitë  për të pasur rezultate  të prekshme, dhe nga ana tjetër, inkurajon  krijimin e klimës  miqësore.

Konferenca e dytë e Rodos  i gjen shtetet pjesëmarrëse   përballë një sërë  problemesh të rëndësishme, siç janë konflikti  në Siri, problemi i Lindjes së Mesme, kriza në Libi, vërshimi i refugjatëve, terrorizmi dhe krimi i organizuar, të cilat kërcënojnë  stabilitetin në nivel rajonal. Duke marrë parasysh gjendjen konkrete, Ministri i Jashtëm Grek z. Nikos Kotzias, i është referuar në mënyrë të përsëritur  nevojës urgjente për krijimin e një arkitekture të re mbi sigurinë në rajonin e Mesdheut juglindor. Kështu  që Konferenca e dytë e Rodos duhet interpretuar edhe si një përpjekje për krijimin e një  strukture paraprake, në të cilën shtetet europiane dhe arabe do të mund të konsultohen  mbi mundësinë e krijimit të një institucioni – në shembullin e OSBE – i cili do të trajtojë çështje  që i takojnë një qasjeje të përgjithshme të nocionit ‘’siguri’’, duke mbuluar në këtë mënyrë,  rajonin më të gjerë të Mesdheut juglindor.

Konferenca e Rodos për Sigurinë dhe Stabilitetin  përfshihet  në 12 nisma ndërkombëtare që Greqia po ndërmerr  gjatë kësaj periudhe. Midis aktiviteteve konkrete, përfshihet  Konferenca e Athinës për Pluralizmin Fetar  në Lindjen e Mesme, Forumi i Qytetërimeve të Lashta, formatet  trepalëshe të bashkëpunimit  të Greqisë me Qipron e Libanin, Jordaninë, Palestinën, Izraelin dhe Egjiptin, Samiti Katërpalësh i Selanikut për Bashkëpunimin Ndër-ballkanik, Masat e Ndërtimit të Bashkëpunimit me IRJM, si edhe koordinimi i katër shteteve ballkanike që janë edhe anëtare të B.E-së.

Në Konferencë  do të marrë pjesë edhe Zëvendësministrja e Punëve të Jashtëme  të Shqipërisë, znj Odeta Barbullushi, ndërsa në Konferencën e vjetshme kishte marrë pjesë Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z. Ditmir Bushati.

SHKARKO APP