Kosova në Këshillin e Evropës brenda vitit 2024
Planet e perëndimorëve janë që Kosova të bëhet anëtare me të drejta të plota në organizatën më të madhe në Evropë, para zgjedhjeve për europarlamentarët të qershorit dhe zgjedhjes së liderëve të rinj në këto institucione. Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në KiE ka përkrahjen e disa prej vendeve më të fuqishme, përfshirë edhe Britaninë e Madhe në këtë organizatë me 46 shtete anëtare.
Më 16 mars 2022 Rusia është përjashtuar nga Këshilli i Evropës (KiE) për shkak të agresionit në Ukrainë, kjo automatikisht i ka hapur rrugën Kosovës për anëtarësim në KiE. Në muajin prill të vitit të kaluar, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës pranoi aplikimin e Kosovës për anëtarësim. Nga 46 anëtarët, 33 shtete ishin pro.
Komiteti për çështje politike dhe demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës e ka caktuar Dora Bakoyannis raportuese për anëtarësimin e Kosovës në KiE.
Detyra e Bakoyannis do të jetë që të hartojë raportin gjithëpërfshirës konsultativ për Komitetin për Politikë dhe Demokraci, i cili e dërgon në senacën plenare të Asamblesë Parlamentare të KiE. Asambleja Parlamentare ka caktuar edhe dy juristë të cilët do të bëjnë një raport vlerësimi për Kosovën.
Pritet që delegacioni i Serbisë që do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare në Strasburg më 22-26 janar të lobojë kundër Kosovës. Parlamenti i Kosovës përfaqësohet me një delegacion me disa deputetë me të drejtat e vëzhguesit pa të drejte vote, por që kanë mundësi të flasin në seancat e Asamblesë.
Lihtenshtajni mban aktualisht Presidencën e Këshillit të Ministrave të KiE që do të pasohet nga Lituania që do e drejtojë organizatën nga data 17 maj deri më 9 nëntor 2024. Pas rekomandimit pozitiv të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, atëherë Këshilli i Ministrave të KiE-së duhet të vendosë me 2/3 pro anëtarësimit të Kosovës.
Sipas burimeve tona në Strasbug, Asambleja Parlamentare të Këshillit të Evropës, është e qartë se po ndjek procedura të përshpejtuara në rastin e Kosovës. Është e qartë se pavarësisht argumenteve të Serbisë të bazuara në të drejtën ndërkombëtare, politika dhe sjelljet e disa shteteve do të luajnë rol të madh. Për të pranuar anëtarë të rinj, kërkohet 2/3 e votave në Asamblenë e Parlamentare. Nëse Kosova arrin sukses me aplikimin për të qenë anëtare në Këshillin e Evropës, kjo do të sillte shumë përfitime për Kosovën dhe qytetarët e saj sidomos në ndjekjen e çështjeve në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut.