Kosova propozohet për anëtare në Këshillin e Europës, Basha nga Parisi: U kry. Ahmeti: Pa asnjë parakusht shtesë
Sot është marrë një vendim pozitiv për Kosovën, pasi propozohet për anëtare e Këshillit të Europës. Komiteti Politik miratoi në Paris raportin e Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Europës. Lulzim Basha i pranishëm në Paris, u shpreh mirënjohjen aleatëve për mbështetjen e dhënë.
”U kry! Tani në Paris, Komiteti Politik sapo miratoi propozimin për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës. Një hap jetik që i hap rrugë vendimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe Këshillit të Ministrave. Mirënjohje aleatëve të shqiptarëve për mbështetjen e dhënë. Urime Kosovë”,-shkruan Basha.
Zëvendësministri për Punë të Jashtme dhe Diasporë, Kreshnik Ahmeti, tha se opinioni i raportueses Bakoyannis rekomandon anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës “pa asnjë parakusht shtesë”.
“Asnjë nga zotimet që duhet t’i marrë përsipër Kosova nuk kërkohet të realizohen para anëtarësimit. Madje në pikën 11 thuhet qartë se zotimi duhet të adresohet pas anëtarësimit”, shkroi ai në Facebook.
Për të të gjitha propozimet që të vendosen parakushte të reja “janë refuzuar nga shumica e anëtarëve të Komitetit, gjë që tregon se Kosova duhet të bëhet anëtare në maj të këtij viti dhe parakushtet e reja do të ishin të padrejta”.