Maqedonia e Veriut paralajmëron taksa për beqarët. Po Shqipëria?

Maqedonia e Veriut po përballet me një krizë të thellë demografike, e cila ka vënë në alarm autoritetet më të larta të shtetit. Kryeministri Hristijan Mickoski ka ngritur publikisht shqetësimin për rënien drastike të natalitetit dhe ka paralajmëruar masa të forta – ndër to, edhe vendosjen e një takse për personat e pamartuar, si pjesë e një strategjie të gjerë për rritjen e lindjeve.

“Vetëm në vitin 2024 kemi pasur 16061 lindje dhe 20201 vdekje, një deficit natyror prej 4140 personash. Në katër vitet e fundit, vendi ka humbur mbi 33 mijë banorë – njësoj sikur të kishte humbur një qytet si Kavadari apo Kërçova,” u shpreh Mickoski.

Sipas të dhënave të paraqitura nga qeveria, norma e lindshmërisë ka rënë nga 12,5 për mijë banorë në vitin 2010 në vetëm 8,8 për mijë në vitin 2024, duke e renditur Maqedoninë e Veriut mes vendeve me rritjen më të ulët demografike në rajon.

Situata është edhe më e rëndë në zonat rurale, ku shumë shkolla tashmë nuk kanë nxënës të klasës së parë, ndërsa numri i personave që jetojnë vetëm është në rritje të vazhdueshme.

Kryeministri Mickoski theksoi se po shqyrtohen masa të reja fiskale dhe sociale, përfshirë subvencione për familjet e reja, përkrahje për nënat dhe ndihma për çiftet që duan të kenë fëmijë. Megjithatë, propozimi për taksimin e të pamartuarve ka shkaktuar polemika në opinionin publik dhe është konsideruar si diskriminues nga disa organizata të të drejtave të njeriut.

Mbetet për t’u parë nëse këto masa do të kalojnë në Parlament dhe si do të ndikojnë në prirjet demografike në afat të gjatë. Taksat janë të larta për beqarët, aqsa debatet po shkojnë se ai që është beqar dhe ka kaluar moshën 35 apo 40 vjeç paga e tij do të taksat në masën 50 përqind.

Po në Shqipëri?

Akoma nuk ka filluar një debat i tillë politik.

SHKARKO APP