Leksione nga zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut

Rezultati i zgjedhjeve presidenciale ka përçuar një mesazh të qartë për të gjitha partitë politike, thonë njohësit e zhvillimeve politike në Shkup. Sipas tyre, leksioni fillon nga koncepti qytetar, ai për një ardhmëri euroatlantike si rruga më e sigurt deri te fitorja. Ndërkohë që opozita maqedonase, theksohet se duhet të dalë nga gëzhoja nacionaliste.

Besa Arifi, njohëse e çështjeve politike, për Radion Evropa e Lirë konsideron se fitorja e Stevo Pendarovskit për president të Maqedonisë, si kandidat konsensual i socialdemokratëve dhe partive politike shqiptare, dëshmoi mbështetjen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut për konceptin e bashkimit drejt një ardhmërie euroatlantike.

“Në fillim do të thosha se mesazhi që përçuan qytetarët me votën e tyre për LSDM-në është një mesazh i mirë sepse koncepti që ata kanë promovuar që nga viti 2014, pastaj në zgjedhjet e vitit 2016 e këtej, i cili ka të bëjë me konceptin e bashkimit të të gjithë qytetarëve të jetojnë në Maqedoninë e Veriut drejtë një ardhmërie euroatlantike dhe për një qëllim të përbashkët është koncepti që fiton shumicën në këtë vend dhe kjo është për t’u përshëndetur”, thotë Arifi.

Duke komentuar rritjen e votave të fituara nga VMRO-DPMNE, sipas Arifit, kjo rritje asnjëherë nuk do të jetë e mjaftueshme që të shënoj fitore kundrejt konceptit qytetar të bashkimit të të gjithë qytetarëve drejt të ardhmes euroatlantike.

“VMRO-DPMNE ende nuk paraqitet si parti e cila beson në ardhmërinë euroatlantike të vendit, sepse nuk e përkrah Marrëveshjen Prespës si të tillë. Pastaj nuk beson në të ardhmen euroatlantike të vendit sepse kundërshton të gjitha proceset juridike që kanë të bëjnë me vendosjen e përgjegjësisë për 27 prillin dhe rastet tjera të Prokurorisë Speciale. Derisa nuk shohim një reformë të mirëfilltë në këtë parti dhe shkëputje nga e kaluara dhe ish-kryetari i kësaj partie Nikolla Gruevski, retorika nacionaliste dhe regresive, nuk do të mund të marrin përkrahje më të madhe nga kjo që e marrin dhe kjo është e pamjaftueshme për të dalë fitues në zgjedhje”, thotë Arifi.

Por, analisti politik, Vladimir Bozhinovski, futoren e Stevo Pendarovskit për kryetar të ri të shtetit e ka cilësuar si ‘Fitore të Pirros’ për Lidhjen Social-Demokrate të Maqedonisë së Veriut dhe kryeministrin, Zoran Zaev.

“Për mua fitorja e djeshme e Stevo Pendarvskit për kryetar të shtetit paraqet ‘Fitore të Pirros’. Unë nuk shoh asnjë arsye që Lidhja Social- Demokrate e Maqedonisë së Veriut, fitoren e kandidatit të tyre ta prezantoj si triumfalizëm. Besoj askush nuk është i kënaqur me këtë rënie te votave që shënoi partia, përpos Pendarovskit që këto vota i siguruan fitoren për t’u bërë president i shtetit. Pra me këto vota, nëse hiqenvotat e shqiptarëve që besoj se janë mbi 100 mijë, besoj se LSDM-ja do të ketë një ulje shumë të madhe të numrit të deputetëve”, thotë Bozhinvski.

Sipas tij, rritja e trupit elektoral të VMRO –DPMNE-së, ka betonuar në një mënyrë pozitën e liderit të kësaj partie, Hristijan Mickovski.

“Pas këtyre zgjedhjeve Hristijan Mickovski ka përforcuar pozitën e tij si lider i partisë maqedonase në opozitë VMRO-DPMNE-së. Tani askush nuk do të mund ta sfidojë për pozitën e kryetarit të partisë”, thotë Bozhinovski.

Ndërkohë, Besa Arifi thotë se është fakt se partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim ishte shumë pro-aktive në këto zgjedhje, duke mundësuar arritjen e cenzusit dhe suksesin e zgjedhjeve, por rezultati, megjithatë, tregon se në këtë parti nevojiten reformat të thella.

“Reformat të cilat pritet të ndodhin në qeverisjen e tanishme të kryeministrit Zoran Zaev, një pjesë e madhe e tyre i dedikohen pikërisht Bashkimit Demokratik për Integrim, përkatësisht kuadrove që ajo i ka ofruar dhe një varg problemesh që si duket edhe kjo parti e ka vështirë të ndahet nga e kaluara e saj”, thotë Arifi.

Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka bërë të ditur se do të ketë ndryshime të thella, duke filluar nga Qeveria, zëvendësministrat, sekretarët shtetërorë, vertikalisht në institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, shoqatat aksionare në pronësi të shtetit, por edhe në LSDM, siç ka theksuar ai, “për të mënjanuar dobësitë në pushtetin ekzekutiv”./REL

SHKARKO APP