“Mali i Zi i Gjukanoviçit s’mund të jetë kurrë shtyllë e BE-së”
Europa duket e dëshpëruar për ta parë Malin e Zi si historinë e saj më të madhe të suksesit në Ballkan – edhe pse kjo nënkupton të bëjë një sy qorr për anën më pak të raportuar të historisë.
Pas fjalimit të presidentit malazez Milo Gjukanoviq në Parlamentin Europian më 2 tetor, mund të të krijohet përshtypja se Mali i Zi është një shtet i mirë-rregulluar ku nuk ka asnjë problem. Ai është një fqinj i përgjegjshëm, një destinacion tërheqës për investimet e huaja, GDP-ja dhe shifrat e turistëve janë vazhdimisht në rritje dhe ofron një cilësi jetese me të cilën të gjithë duhet të jenë të kënaqur.
Presidenti duket se i ka përcjellë një pasqyrë të një realiteti idilik malazez zyrtarëve të BE-së, duke gjykuar nga deklaratat e Komisionerit të Zgjerimit dhe të Fqinjësisë, Johannes Hahn, dhe të kryetarit të Parlamentit Europian, Antonio Tajani. «Përkushtimi ndaj integrimit dhe përmbushjes së detyrimeve» dhe «Mali i Zi si një shtyllë kryesore për BE-në në Ballkanin Perëndimor» janë frazat që mbetën pas fjalimit të Gjukanoviqit – për të mos përmendur «brohoritjet» dhe duartrokitjet e gjata që mediat lokale pro-qeveritare raportuan si një sukses të madh për politikën malazeze.
Pavarësisht realitetit malazez pothuajse ideal që Gjukanoviq paraqiti në Parlamentin Europian, të cilin BE qartazi «e mbështet» në përpjekjet e saj për të provuar se procesi i integrimit është ende i gjallë dhe i suksesshëm, asnjëra palë në këtë histori nuk është vërtet e sinqertë. Gjukanoviq nuk përmendi asnjë problem me procesin e demokratizimit të Malit të Zi. Duke vënë në dukje se, në përpjekjen për të forcuar sundimin e ligjit, janë miratuar 70 ligje të reja reformiste dhe dokumente të tjera strategjike, me krijimin e dy institucioneve të reja të cilat ende nuk janë të forta apo të depolitizuara, por po bëhen çdo ditë e më shumë me ndikim, Gjukanoviq e mbylli listën e arritjeve me të cilat mund të mburrej qeveria.
Megjithatë, ai nuk përmendte besimin, ose më tepër mosbesimin, që shumica e qytetarëve ndiejnë ndaj institucioneve të vendit, korrupsionin e pranishëm në të gjitha sferat e shoqërisë, krimin e organizuar apo konfliktin endemik midis bandave kriminale. Ai nuk e përmendi se, në mënyrë të parashikueshme, nuk ka pasur asnjë progres të policisë në rastin e sulmit ndaj gazetares Olivera Lakiq, apo faktin se vetëm në çdo rast të tretë sulmi ndaj një anëtari të medias ka ndonjë epilog. Ai harroi të përmendte mënyrën se si kuadri i partisë vendoset nga një pozicion në tjetrin, madje para se publiku të ketë pasur kohë «të harrojë» gabimet dhe aktivitetet e paligjshme për të cilat u detyruan të largoheshin nga pozicionet e tyre të mëparshme. Ai gjithashtu la pa lavdëruar mënyrën arrogante në të cilën autoritetet kanë rivendosur kontrollin mbi transmetuesin publik, ashtu si shteti dhe administrata në përgjithësi – sikur, pas 30 vjetësh sundim, gjithçka në njëfarë mënyre duhet të qëndrojë në duart e Partisë së tij Demokratike e Socialistëve, DPS, dhe me të drejtë u takon atyre – me të cilat ata mund të bëjnë çfarë të duan.
Të gjitha këto tregojnë se ky është niveli më i lartë i «reformave» që kjo qeveri është e gatshme t’i ofrojë BE-së ose qytetarëve të saj. Është gjithashtu e qartë se kësaj qeverie të gjatë i mbetet vetëm të të tregojë kërcënimet e vazhdueshme nga jashtë dhe shkëputjen e mundshme nga rruga europiane – në mënyrë që të bindë BE-në se do të ishte më pak e dëmshme nëse Mali i Zi integrohet, pavarësisht ritmit të pamjaftueshëm të demokratizimit, sesa të lërë atë të bllokuar. Gjukanoviq nuk humbi asnjë mundësi për t’i thënë të gjitha këto në Strasburg. Politika e tij që nga ardhja në pushtet është karakterizuar nga shënjestrimi i vazhdueshëm i armiqve brenda dhe jashtë, të cilët kërcënojnë pavarësinë dhe lirinë e Malit të Zi dhe që duan ta largojnë atë nga rruga europiane me ndihmën e fuqive jo të BE-së. Me fjalë të tjera, të gjithë janë të dyshimtë dhe të gjithë po punojnë kundër nesh.
Kjo politikë është e kapsuluar në grumbullimin e matur të ankthit mbi referendumin e organizuar me ngut në Maqedoni, mosmarrëveshjen mes Serbisë dhe Kosovës dhe gjendjen në Bosnjë-Hercegovinë. Ndoshta mund të thuhet se për shkak të gjendjes aktuale shtetërore dhe problemeve specifike me të cilat përballen vendet e tjera në rajon, Mali i Zi është vërtet favoriti për t’u integruar në BE dhe një faktor stabiliteti në rajon – por jo për shkak të reformave që ka ndërmarrë, ose për shkak të numrit të kapitujve të anëtarësimit në BE që ai ka hapur.
Duhet theksuar gjithashtu se problemet e zakonshme në të gjithë rajonin janë listuar në dokumentin tashmë të harruar të Komisionit Europian të publikuar në fillim të këtij viti, në të cilin Mali i Zi nuk përbën përjashtim dhe që ai s’ka bërë asnjë progres për t’i eliminuar. Përveç të gjithë kësaj, Gjukanoviq theksoi se Mali i Zi ka harmonizuar plotësisht politikën e tij të jashtme me atë që advokon BE-ja, duke kujtuar të gjitha sakrificat që u desh të bëheshin për një perspektivë europiane dhe «anëtarësim të sigurt».
Megjithatë, kur presidenti gjithashtu deklaron se Mali i Zi tashmë po sillet si një shtet anëtar i BE-së, ai menjëherë vizaton një paralele vetëm me ato shtete anëtare të padisiplinuara të BE-së ku shkelja e të drejtave të njeriut gjendet kudo. Për një gjë Gjukanoviq ka padyshim të drejtë. Problemet ekzistuese në rajon janë një alarm i kuq për Bashkimin Europian, nëse ai dëshiron të shmangë konfliktet e reja të mundshme, amullimin dhe tërheqje në këtë pjesë të Europës, dhe të vërtetojë se «projekti europian» është ende i qëndrueshëm.
Por kjo nuk mund të arrihet kurrë me performanca si kjo apo duke lavdëruar ata që janë, në fakt, agjentët kryesor të robërisë së Ballkanit Perëndimor. Mendimet e shprehura në rubrikën e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.
Jovana Marovic është drejtoreshë ekzekutive e Politikon Network, një organizatë me bazë në Podgoricë.