Maqedoni, gjithçka që pritet të ndodhë pas referendumit

Nëse referendumi do të jetë i suksesshëm, Kuvendi i Maqedonisë deri në fund të vitit duhet që të miratojë ndryshime kushtetuese. Numri i deputetëve që janë “për” deri më tani është 71, ndërkaq për t’u miratuar ndryshimet kushtetuese do të nevojiten 81, gjegjësisht 2/3 e numrit të përgjithshëm.

“Sa më shumë njerëz që thonë po, duam të shkojmë përpara, duam të hyjmë në NATO, ajo do të na sjell stabilitet, do të vërtetohet shtetësia jonë, do të krijohen kushte më të mira për Maqedoni të suksesshme, aq më lehtë do të jetë procesi politik në Kuvend, ku duhet që të formohet shumicë prej 80 deputetëve. Ne do të përpiqemi që ai proces, me shumicë të tillë, të mbarojë deri në fund të këtij viti. Do të punojmë me qëllim të tillë. Tërë procesi në pjesën e këtyre katër amendamenteve kushtetuese që të mbarojë në dhjetor të këtij viti”, tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov.

Lideri i partisë më të madhe opozitare, VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski në emisionin debutues tha se nëse referendumi është i suksesshëm dhe shumica parlamentare voton në drejtim të mbështetjes së referendumit, partia do ta respektojë.

Pasi që Mickoski i la anëtarët dhe përkrahësit që të votojnë sipas bindjeve të tyre, një pjesë e deputetëve publikisht u deklaruan kundër ndryshimeve kushtetuese.

Sipas ministrit të Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ndryshimet as nuk janë të shkruara, por as nuk kanë negociuar për të njëjtat, por ato do t’i formulojë Kuvendi. Nëse ndryshimet kalojnë në Kuvend, më pas duhet që presidenti t’i nënshkruajë, i cili deri më tani është deklaruar kundër Marrëveshjes dhe tha se nuk do të votojë në referendum. Ai nuk e nënshkruajti edhe ligjin për ratifikimin e Marrëveshjes me Greqinë. Presidenti gjatë vizitës në SHBA këto ditë deklaroi se dy herë e ka fituar besueshmërinë e qytetarëve që të mos lejojë ndryshim të Kushtetutës.

Marko Troshanovski nga Instituti për Demokraci pret që pas 30 shtatorit, Ivanov të sillet në pajtueshmëri me rezultatin e referendumit.

“Në fakt, nëse shumica e qytetarëve në formë më të lartë të shprehjes së mendimit vendosin që ta përkrahin ose jo këtë marrëveshjes, mendoj se atë vullnet duhet që presidenti ta përkrahë si përfaqësues i qytetarëve dhe në atë kuptim nëse është referendumi pozitiv duhet që ta përkrahë mendimin e qytetarëve”, thotë Troshanovski.

Nëse presidenti nuk e nënshkruan Marrëveshjes, bien poshtë opsionet që të pritet deri në prill të vitit të ardhshëm kur i mbaron mandati, pasi që sipas Marrëveshjes, Maqedonia duhet t’i miratojë amendamentet e Kushtetutës deri në fund të vitit 2018. Procedurë për konstatimin e përgjegjësisë së presidentit ngrit Kuvendi me shumicë prej 2/3-tave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht nevojiten 81 vota. Për përgjegjësinë e presidentit vendos gjithashtu 2 e 3-ta e numrit të përgjithshëm të gjykatësve kushtetues.

Në Marrëveshje qëndron se pasi që të bëhen ndryshimet kushtetuese dhe pasi që Maqedonia të mbarojë me të gjitha procedurat e brendshme juridike që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Greqia menjëherë do ta ratifikojë të njëjtën. Kur të ratifikohet Marrëveshja, Greqia duhet që ta miratojë edhe Protokollin për hyrjen e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe të kërkojë anëtarësimin e vendit fqinj me emër të ndryshuar në BE.

Pasi që Marrëveshja të hyjë në fuqi, tanimë Maqedonia e Veriut duhet që t’i njoftojë të gjitha organizatat ndërkombëtare, multilaterale dhe rajonale, institucionet dhe forumet që është anëtare, se kjo marrëveshje ka hyrë në fuqi dhe se më pas do të kërkojë nga ata që ta pranojnë dhe ta përdorin emrin e ri.

Më pas, do të informohen të gjitha shtete – anëtare të Kombeve të Bashkuara për emrin e ri dhe do të kërkohet nga të njëjtat që ta përdorin emrin dhe termat sipas marrëveshjes.

Ndryshimi i dokumenteve, simbolet, përmendoret Komisioni i përbashkët

Patjetër do të duhet që të ndryshohen edhe dokumentet ekzistuese dhe materialet e dhëna nga shteti jonë, por për atë do të ketë dy periudha, “teknike” dhe “politike” në të cilat do të duhet të ndryshohen. Në afat prej 5 vjetëve nga hyrja në fuqi e Marrëveshjes, Maqedonia do të duhet patjetër që t’i ndryshojë të gjitha dokumentet zyrtare dhe materialet e administratës publike për përdorim ndërkombëtar dhe dokumentet për përdorim të brendshëm, por të cilat mund të shfrytëzohen edhe jashtë shtetit. Periudha “Politike” ka të bëjë me të gjitha dokumentet dhe materialet, të cilat janë vetëm për përdorim të brendshëm të vendit. Ato do të ndryshohen pasi që të hapet çdo kapitull i fushës relevante në bisedimet me BE-në, ndërkaq duhet të mbarojë në afat prej 5 vjetëve.

Në afat prej 6 muajve pasi që Marrëveshja të hyjë në fuqi, Maqedonia do të duhet që t’i evidentojë të gjitha përmendoret, ndërtesat publike dhe infrastrukturën e cila ka të bëjë me historinë helene. Autoritet e Maqedonisë janë deklaruar se nuk do të ketë dislokim të përmendoreve.

“Te përmendoret do të vendoset përshkrim në të cilat sqarohet. Për shembull te përmendorja e Aleksandrit të Madh, do të vendoset përshkrim se është simbol i periudhës helene dhe ngelet si simbol i miqësisë mes Maqedonisë dhe Greqisë. E njëjta do të vlejë edhe për përmendoren e Filipit të Dytë dhe Olimpias. Të gjithë do të evidentohen në drejtim të përforcimit të miqësisë. Nuk turpërohemi që t’i emërojmë përmendoret ashtu siç janë”, deklaroi zëdhënësi, Mile Boshnjakovski, pak përpara nënshkrimit të Marrëveshjet.

Sipas Marrëveshjes, është formuar komision i përbashkët i ekspertëve, i cili do të duhet që të punojë në mënyrë objektive  dhe shkencore do t’i interpretojë çështjet historike, arkeologjike dhe arsimore.

Pasi që Marrëveshja do të hyjë në fuqi, zyrat për lidhje të dy vendeve do të ngritën në rang të ambasadave, ndërkaq zyrat konsullore do të rriten në konsull të përgjithshme. /Portalb/

SHKARKO APP