Maqedonia e Veriut, 20% që mban peng regjistrimin e popullsisë
Maqedonia e Veriut, nuk ka kryer regjistrimin e popullsisë që prej vitit 2002, ndërkohë që projekti i 2011-ës dështoi për shkak të përplasjeve midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Me avancimin e rrugës së Integrimit Europian, regjistrimi i banorëve është një domosdoshmëri dhe ky proces parashikohet të zhvillohet nga data 1 deri më 21 prill të vitit 2020.
Diskutimet janë nxehur sërish dhe shkak është bërë regjistrimi i diasporës së Maqedonisë, që në numër është me shumicë shqiptare. Partitë shqiptare kërkojnë që regjistrimi të jetë kompetencë e Qeverisë dhe zëvendës-kryetari i Entit të Statistikës të ketë të njëjta kompetenca në këtë proces si kryetari.
Në regjistrimin e kryer në 2002-in, shqiptarët përfaqësonin 25.17% të popullsisë së Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që për numrin aktual ka debate. Shumë ekspertë shqiptarë theksojnë se numri i shqiptarëve është rritur për shkak edhe të lindjeve të shumta, ndërsa ekspertë maqedonas mendojnë se numri është më i vogël se 20%.
Të gjitha të drejtat e shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, si popullsi shtet-formuese, janë përcaktuar në Kushtetutë për shkak të numrit më të lartë se 20% që ata përfaqësojnë. Ulja e kësaj përqindje do të vinte në rrezik edhe zbatimin e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në këtë shtet.