Maqedonia shtyn datën e zgjedhjeve

Parlamenti votoi për të shtyrë zgjedhjet e planifikuara për 24 prill pas bisedimeve politike të tensionuara ndërmjetësuar nga BE-ja dhe diplomatët e SHBA-së.

Nga Sinisa Jakov Marusic, BIRN

Pas një dite bisedimesh politike të tensionuar, parlamenti i Maqedonisë votoi të martën në mbrëmje shtyrjen e votimeve që ishin planifikuar fillimisht për 24 prill. Votimi pasoi një vlerësim të përbashkët BE-SHBA ku u tha se vendi nuk mund të mbajë ende zgjedhje të përgjithshme të lira dhe të drejta.

Parlamenti ra dakord t’i shtyjë zgjedhjet për 5 qershor.

Shtyja u mbështet nga 83 deputetë maqedonas nga 123 gjithsej gjatë një seance parlamentare mbajtur të martën në mbrëmje. Votimi anuloi një vendim të mëparshëm për të shpërndarë parlamentin po atë mesnatë, 60 ditë përpara datës origjinale të votimit më 24 prill.

Vetëm tre deputetë votuan kundër shtyrjes së zgjedhjeve.

Votimi pasoi një luftë të tensionuar nervash mes opozitës dhe politikanëve të partisë qeverisëse dhe këshilltarëve ndërpartiakë ndërmjetësuar nga BE-ja dhe diplomatët amerikanë, përfshirë vizitat nga tre deputetë të parlamentit europian.

Kjo ndaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës politike, teksa opozita po kërcënonte të tërhiqte ministrat nga qeveria e përkohshme dhe të bojkotonte zgjedhjet nëse shumica qeverisëse i shtynte ato.

Partia kryesore, VMRO DPMNE, ndryshoi mendjen në minutën e fundit. Gjatë ditëve të fundit partia, e drejtuar nga Nikola Gruevski, që së fundmi dha dorëheqjen si kryeministër, kundërshtoi fort vlerësimin e SHBA dhe BE-së duke thënë se nuk kishte argumente të vërteta për të shtyrë zgjedhjet.

VMRO DPMNE ishte e vetmja nga katër partitë kryesore në vend që refuzoi vlerësimin e përbashkët BE-SHBA të zbatimin të marrëveshjes së arritur verën e shkuar. Vlerësimi përcaktoi se Maqedonia nuk ishte gati të mbante zgjedhje të lira dhe të drejta në prill.

Në një letër të dërguar kryeministrit të përkohshëm, Emil Dimitriev, BE dhe SHBA theksuan shqetësimet rreth pastrimit të listave zgjedhore, mungesës së argumentimit në media të reformave dhe sigurimin e raportimit objektiv dhe pa paragjykim dhe masat e pamjaftueshme për të ndarë aktivitetin shtetëror dhe atë partiak.

Pas votimit të parlamentit, lideri i opozitës Zoran Zaev, i tha një konference për shtyp se shtyja e zgjedhjeve ishte një tjetër mundje për Gruevskin.

Zaev e akuzoi Gruevskin se u përpoq të izolonte ndërkombëtarisht vendin duke injoruar këshillat e BE-së dhe SHBA.

Gruevski akuzoi opozitën për shtyrjen e zgjedhjeve.

“Më 5 qershor do të shkojmë në zgjedhje me ose pa ju,” tha ai.

Kriza politike në Maqedoni shpërtheu shkurtin e vitit 2015 kur opozita filloi publikimin e përgjimeve që qeveria e Gruevskit i kishte bërë 20,000 individëve.

SHKARKO APP