Marrëveshja e emrit, Ivanov: Jo ndryshim të kushtetutës
Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Jashtëm Nikolla Dimitrov, informojnë presidentin Gjorge Ivanov për marrëveshjen e arritur me Greqinë mbi emrin e ri. Ata do të diskutojnë edhe për përplasjen që emri i ri ka me Kushtetutën e vendit. Ndryshimet ne ligjin themeltar janë kundërshtuar në mënyrë kategorike nga presidenti Ivanov.
Marrëveshja është kundërshtuar edhe nga partia më e madhe opozitare, VMRO-DPMNE. Kreu i kësaj partie Hristjan Mickovski, në një deklaratë për shtyp tha se kjo marrëveshje nënkupton kapitullimin e Maqedonisë.
Por kryeministri grek Alexis Cipras, tha një ditë më parë se marrëveshja e arritur ruan identitetin e gjuhën maqedonase. Nga ana tjetër, arritja e marrëveshjes për zgjidhjen e çështjes së emrit, është mbështetur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Zëdhënësja Heather Nauerty tha se kryeministrat Zaev dhe Cipras shfaqën vizion, guxim dhe këmbëngulje për gjetjen e një marrëveshje për të dyja palët,
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg përshëndeti zgjidhjen e çështjes së emrit mes Shkupit dhe Athinës, duke thënë se kjo është një marrëveshje historike.
Emri i ri do të fillojë të përdoret pasi marrëveshja me Republikën e Greqisë do të ratifikohet nga parlamentet e të dy vendeve, në mënyrë që deri në fund të vitit, Greqia të miratoje edhe protokollin për anëtarësimin e plotë të Maqedonisë në NATO. Nga ana tjetër, kryeministri Zaev ka lajmëruar se në vjeshtë do të mbahet një referendum ku qytetarët maqedonas do të vendosin për fatin e marrëveshjes së arritur.