Miliarderi rus në Greqi: Nuk kam nxitur protestat anti-NATO në Maqedoni

Biznesmeni rus në Greqi Ivan Savvidi mohoi akuzat se ai ishte i përfshirë në financimin e protestave anti-NATO në Maqedoni para mbajtjes në vjeshtë të referendumit të rëndësishëm për çështjen e ndryshimit të emrit.

Grupi i kompanive të Savvidi bëri ​​një deklaratë të martën duke mohuar ashpër pretendimet se ai u dha qindra mijëra euro kundërshtarëve maqedonas të ndryshimit të emrit të propozuar të vendit, përfshirë politikanë të opozitës dhe huliganë të futbollit.

“Biznesmeni Ivan Savvidi nuk ka lidhje apo përfshirje në aktivitetet e përmendura në tekstin e pavërtetë dhe krejtësisht shpifës. Në orët e ardhshme do të ngremë një padi kundër mediave dhe autorëve të këtyre pretendimeve të pabazuara,” citoi agjencia shtetërore e lajmeve MIA e Maqedonisë të ketë thënë grupi i Savvidit.

Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, OCCRP, të hënën pohoi se gazetarët e tij në Maqedoni kanë parë dokumente të ministrisë së brendshme të Maqedonisë, sipas të cilave Savvidi thuhet se i ka paguar rreth 300,000 euro kundërshtarëve maqedonas të marrëveshjes së emrit me Greqinë që ka zhbllokuar hyrjen e vendit në BE dhe NATO.

Sipas OCCRP, këto pagesa iu bënë “mbi një duzinë politikanësh maqedonas nga parti të ndryshme”, emrat e të cilëve nuk u zbuluan, si dhe anëtarëve të organizatave radikale nacionaliste të themeluara kohët e fundit dhe huliganëve të futbollit nga klubi i Vardarit që morën pjesë në trazirat në Shkup në qershor.

Savvidi është më i njohur si pronar i klubit të futbollit PAOK të Greqisë dhe i mediave të ndryshme.

OCCRP e publikoi lajmin të hënën pasi më herë kryeministri maqedonas Zoran Zaev ishte i pari që akuzoi një biznesmenë grekë, pa përmendur emra, simpatizanët të interesave të Rusisë, për nxitje të trazirave në vendin e tij në lidhje me propozimin e ndryshimit të emrit, i cili – nëse vërtetohet në referendumin e ardhshëm – do t’i mundësojë Shkupit anëtarësimin në NATO.

Në një reagim të lëshuar të hënën vonë, Ambasada Ruse në Shkup u ankua se këto akuza ishin të dëmshme dhe të projektuara për të përhapur “rusofobi”. Rusia kundërshton fuqishëm çdo zgjerim të mëtejshëm të aleancës ushtarake perëndimore.

Maqedonia javën e  kaluar mori ftesën e saj të shumëpritur për të filluar bisedimet e anëtarësimit në NATO, në samitin e aleancës në Bruksel. Komisioni Europian të martën gjithashtu fillon procesin e shqyrtimit të vendit, me shpresën për fillimin e bisedimeve të pranimit në verën e vitit të ardhshëm.

Kjo u bë e mundur pasi Maqedonia dhe Greqia nënshkruan marrëveshjen e tyre historike më 17 qershor, pas një sërë bisedimesh të ndërmjetësuara nga OKB-ja, duke i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre 27-vjeçare mbi emrin e Maqedonisë.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia do ta ndryshojë emrin e saj në Republika e Maqedonisë së Veriut me qëllim që ta bëjë atë të dallueshme nga provinca veriore greke, e quajtur gjithashtu Maqedoni.

Në këmbim, Greqia hoqi bllokadën e saj të gjatë për ofertat e pranimit në NATO.

Por prova kyçe për qeverinë në Shkup është referendumi mbi marrëveshjen e emrit, që do të mbahet këtë vjeshtë.

Nëse plebishiti rezulton i suksesshëm, marrëveshja do të vihet në zbatim, duke garantuar pak a shumë suksesin e pranimit të vendit në NATO dhe fillimin e bisedimeve të pranimit në BE.

Megjithatë, partitë kryesore opozitare në Maqedoni dhe Greqi e kundërshtuan këtë marrëveshje duke e quajtur atë një tradhti të interesave të tyre përkatëse kombëtare./BIRN

SHKARKO APP