Ministri i Jashtëm ndez sherrin mes Athinës dhe Shkupit
Reagime të ashpra në Athinë pas deklaratës së djeshme të kryediplomatit maqedonas, Nikolla Dimitrov se me hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për emrin do të ruhet identiteti maqedonas. Ministri grek i Mbrojtjes, Panos Kamenos në kuadër të takimit joformal me homologët e BE-së në Vjenë, e ka cilësuar këtë deklaratë provokim të rëndë. Ai madje ka thënë se populli grek do të vendosë për Marrëveshjen, pavarësisht se kjo e fundit përjashton një referendum të mundshëm në Greqi.
“Me komentet e tyre provokuese kundër Greqisë, zyrtarët e Shkupit përfshirë edhe vetë kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm janë duke penguar çdo përpjekje për të gjetur një zgjidhje. Të përmendurit “popull maqedonas” është në kundërshtim me çdo marrëveshje. E vetmja gjë që mund të arrijnë me këtë është ta nevrikosin popullin grek, i cili do ta ketë fjalën e fundit, pavarësisht referendumit dhe ndryshimeve kushtetuese në Shkup – tha Panos Kameonos, Ministër i Mbrojtjes së Greqisë.
Përgjegjësi për Politikë të Jashtme nga partia më e madhe opozitare greke, Demokracia e Re, Jorgos Kumucakos tha se deklarata e Dimitrovit vërteton se Marrëveshja e Prespës lejon vazhdimin e irredentizmit të Shkupit. “Deklaratat e Dimitrovit në Parlamentin Evropian, për fat të keq, vijnë për të vërtetuar kritikat e Demokracisë së Re për Marrëveshjen e dëmshme të Prespës. Kombinimi i emrit “Maqedonia e Veriut”, “gjuhë maqedonase” dhe “kombësi maqedonase” është ideale për zhvillimin e nacionalizmit dhe irredentizmit të Shkupit – tha Jorgos Kumucakos, Demokracia e Re.
Dimitrov në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian mbrëmë kishte theksuar se politikanët nuk mund të ndryshojë identitetet e popujve dhe se marrëveshja e Prespës e respekton këtë fakt. “U pyeta “a jam unë maqedonas?” Jam maqedonas. Kur marrëveshja të hyjë në fuqi do të quhemi Republika e Maqedonisë së Veriut, ne do të jemi maqedonas që flasin gjuhën maqedonase, duke pranuar se në Greqi termi “maqedonase” ka kuptim të ndryshëm. Në Greqi ka maqedonas, nuk dua të hy në detaje të sqaroj se si arritëm deri në këtë gjendje, në aspket të historisë antike, por e drejta për vetë-përcaktim, vetë-identifikim në Evropë në vitin 2018, shekullin XXI, është e pakontestueshme – deklaroi Nikolla Dimitrov, Ministër i Jashtëm.
Debati i mbrëmshëm në ligjvënësin evropian ishte nxitur nga eurodeputetë të opozitës greke, të cilët duke thënë se Greqia nuk mund të pranojë identitet dhe gjuhë maqedonase, e kishin pyetur Dimitrovin se si do të quhet populli i këtij vendi pasi Marrëveshja të hyjë në fuqi. Ndërsa eurodeputetët e partisë në pushtet, Syriza kishin shprehur mbështetje për Marrëveshjen. Debati mori vëmendjen e të gjitha mediave në fqiun jugor.