Ministri serb kërcënon: NATO s’mund t’i mbrojë. Reagon Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi

Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë reaguar pas deklaratave të ministrit serb, Millosh Vuçeviç, i cili një ditë më parë deklaroi se këto dy vende e kanë zemëruar shumë Serbinë kur njohën Kosovën.

Ndër të tjera i kërcënoi dy shtetet duke thënë se anëtarësimi në NATO nuk do të thotë se janë të mbrojtura.

Pas kësaj deklarate ka ardhur edhe reagimi i ministrit të Jashtëm të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani i ka cilësuar si të papërshtatshme. Ai shtoi se Maqedonia e Veriut është për paqe në rajon.

“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, tha ministri i Jashtëm maqedonas.

Ndërsa presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, tha se është e papranueshme çdo përpjekje për të ndërhyrë drejtpërdrejt ose indirekt me aktorët e huaj në krijimin e Qeverisë në Mal të Zi.

“Pres që formimi i Qeverisë së 44-të të bazohet në vullnetin e shprehur lirshëm të qytetarëve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, si dhe në prioritetet programore që do të mundësojnë anëtarësimin e përshpejtuar të Malit të Zi në BE, rritjen e standardit jetësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës”, shkroi Milatoviç.

SHKARKO APP