Ndalet flamuri serb për Vidovdan, Serbia: Kurti valvit flamujt e UÇK dhe Shqipërisë së Madhe

Drejtori i ”Zyra për Kosovën” në qeverinë serbe, Petar Petkoviç sulmoi ashpër vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për të ndaluar shfaqjen e flamurit dhe simboleve serbe në Graçanicë gjatë festimit të Vidovdanit.
Për të kjo tregon fytyrën antiserbe dhe fashiste të regjimit të Albin Kurtit. Petkoviç theksoi se ndërsa ekstremistët shqiptarë “pikturojnë grafite të UÇK-së terroriste në shtëpitë, sheshe lojërash e shkolla serbe, ndërsa Albin Kurti shfaq flamurin e Shqipërisë së Madhe në tubimet e tij, autoritetet në Prishtinë shqetësohen nga flamuri serb dhe festimi paqësor i Vidovdanit”.
”Çdo vit, ndihmësit e Kurtit intensifikojnë represionin ndaj serbëve, veçanërisht në prag të Vidovdanit, duke kryer një gjueti të hapur për gjithçka serbe përmes arrestimeve të sajuara dhe linçimit të pelegrinëve.
Tani ata po synojnë simbolet kombëtare serbe, me qëllim fshirjen e gjurmëve serbe në Kosovë, ndërsa përpiqen të fshehin dështimet e tyre politike dhe të përshkallëzojnë më tej tensionet”, deklaroi Petkoviç.