Në qeverinë e re malazeze edhe shqiptarët

Mali i Zi ka zgjedhur një qeveri të re. Kryeministri i ri Dushko Markoviq ka futur në kabinet edhe përfaqësuesit e shqiptarëve. Po cili është roli i Gjukanoviqit?

Gati një muaj pas zgjedhjeve në Mal të Zi është krijuar qeveria e re. 17 ministra dhe tre zëvendëskryeministra kanë dhënë betimin në parlament, së bashku me kryeministrin e ri Dushko Markoviq. Krahas socialdemokratit Ivan Brajoviq, i cili është zgjedhur kryetar parlamenti, në qeveri është futur edhe Partia e Boshnjakëve, Iniciativa Kroate dhe koalicioni shqiptar „Shqiptarët me vendosmëri”. Në kabinetin e ri është gjetur vend vetëm për dy anëtarë të DPS-së nga përbërja e kaluar.

„Qeveria e re nuk është vazhdimësi e qeverisë së kaluar, sepse janë ndërruar mbi 80% të ministrave të partisë DPS. Kryeministri i ri ka hequr dorë nga figurat e diskutueshme”, thotë Radomir Kraçkoviq, redaktor i ditarit në televizionin Vijesti.

Imazhi i ri

Malazezët nuk duhet të mësohen tani vetëm me faktin që Gjukanoviqi nuk është më kryeminsitër, por edhe me emrat e ri të ministrave të panjohur në opinion. “Markoviqi ka arritur që të fusë në kabinet disa persona të njohur jashtë partive politike, që do të ndryshojnë imazhin e qeverisë”, thotë drejtori i organizatës joqeveritare „Aleanca Qytetare”, Boris Raoniq.

Në mesin e ministrave të ri është edhe Sanja Damjanoviq, një eksperte e fizikës, e punësuar në CERN. Ajo do të drejtojë Ministrinë e Shkencës. Ndërsa Dragica Sekuliq do të jetë ministre e Ekonomisë.

„Markoviq do të dëshmojë para opinionit pavarësinë e tij nga Gjukanoviqi. Ndaj që në fillim do të tregojë se ka krijuar një kabinet qeveritar me ekspertë dhe teknokratë”, thotë Kraçkoviq.

Qeveria pa serbë

Markoviq ka krijuar një kabinet të ri qeveritar, ku nuk ka asnjë përfaqësues të serbëve, të cilët tradicionalisht në Mal të Zi janë në opozitë. Por që në ditën e parë ai tha se kjo nuk është përbërja definitive e kabinetit. “I kam ftuar edhe përfaqësuesit e opozitës dhe popullit serb në Mal të Zi që të gjejnë arsyet e tyre nacionale dhe politike të futen në qeveri”, tha ai.

Dushko Markoviq ka lindur në Mojkovc. Karrierën politike e ka filluar në organet komunale, ndërsa në vitet 90-të është zgjedhur sekretar i qeverisë. Prej vitit 2005 ka qenë shef i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (ANB). Më pas Gjukanoviqi e ka emruar ministër të Drejtësisë dhe zëvendëskryeministër. Opozita pohonte asokohe, se ky është një ministër për të cilin ata nuk dinë asgjë, ndërsa ai i di të gjitha.

„Duket paradoksale, por Markoviq njihet si figurë pozitive në Bruksel, për shkak të punës së tij. Ndërsa fakti që ai vjen nga policia, do të thotë se Mali i Zi nuk është një shtet demokratik deri në fund”, konstaton Kraçkoviq. Mediat malazeze e kanë quajtur Markoviqin si „Putini nga Mojkovci”. “Pres rezultate të shpejta”, tha kryeministri i ri në ditën e parë në këtë detyrë. Ndërsa vlerësimet e para do të bëhen pas një viti.

Roli i Gjukanoviqit

Shefi i deritanishëm i qeverisë, Milo Gjukanoviq e ka ndjekur zgjedhjen e kryeministrit nga salla e parlamentit. “Markoviqi me siguri që do të insistojë të ndërtojë stilin e vet të qeverisjes. Por mendoj se vendimet më të rëndësishme në vend do të merren me ndihmën e Gjukanoviqit. Është shumë e mundur që pas katër vitesh pikërisht Gjukanviqi të paraqitet sërish si “një shpëtimtar”, e ndoshta edhe më shpejt”, pohon Kraçkoviq. .

Gjukanoviqi është tërhequr tri herë nga funksionet e shtetit, por gjithmonë ka mbajtur postin e kryetarit të partisë DPS.-DW

SHKARKO APP