Nga Greqia nuk fryn erë e freskët

Kriza e euros nuk mbizotëron më titujt e gazetave. Por tema nuk është zgjidhur. Dhe meqenëse në Athinë nuk ka gjasa të ndryshojë vërtet diçka, problemi do të dalë sërish në vëmendjen e publikut, mendon

Nga Spiros Moskovou

“Mosprivatizimin e shoqërisë shtetërore të elektricitetit DEI e shpall interesin qendror politik të Syrizas”, bubulliu ministri i Energjisë Panos Skourletis në fundjavë në Athinë në kongresin e partisë në pushtet. Kjo në një kohë kur në maj, qeveria Tsipras dhe Parlamenti grek miratoi një listë të parë të sipërmarrjeve shtetërore, që duhet të privatizohen. Një pikë e rëndësishme këtu është shitja e njërës pjesë të aksioneve të DEI-t. E gjithë paketa e privatizimit do t’i sjellë arkës shtetërore deri në fund të vitit të ardhura në shumën e 2,5 miliardë eurove.

Një ministër si drejtues i opozitës

Por kjo nuk do të sjellë rezultat, kur është pikërisht ministri përkatës që bën thirrje publike për luftë kundër planit. Por lufta e Skourletit kundër politikës zytare qeveritare i solli atij vendin e gjashtë në komitetin e ri qendror të Syrizës. Edhe rruga e anasjelltë është e mundur te Syriza: kryeministri gjoja radikal i majtë, Alexis Tsipras e ngriti në doktrinë të re shtetërore mbetjen e Greqisë në Eurozonë. Edhe kjo metamorfozë e plotë nuk e pengoi atë që të rizgjidhet me 95 përqind të votave kryetar partie.

Rasti Skourleti dhe kthimi i Tsiprasit në vlerat e Euros janë karakteristike për politikën kontradiktore të populistëve në qeveri në Athinë: zyrtarisht qeveria e Athinës u përmbahet marrëveshjeve me donatorët ndërkombëtarë në kuadër të paketës ndërkohë të tretë të ndihmave për Greqinë; jozyrtarisht ajo shfrytëzon çdo rast për ta minuar paketën. Këtë akt të rrezikshëm balance ajo ia shet kombit si luftë kundër torturuesve të kombit. Është e qartë – edhe në shtete të tjera evropiane, retorika në politikën e brendshme është më e ashpër se toni i së njëjtës qeveri në parketin ndërkombëtar. Por në Greqi ndërkohë dallimi është kaq i madh, sa duhet të flasësh për një politikë kalamajsh.

Për fat të keq kjo nuk prek vetëm Syrizën radikale të majtë, e cila nga një grup sektar i opozitës u kthye brenda natës në parti në pushtet të shtetit të falimentuar – por edhe pjesën tjetër të partive greke. Në verë 2015 edhe konservatorja Nea Dimokratia dhe socialdemokratja Pasok votuan pro paketës së tretë të ndihmave për vendin. Por që atëherë ato luftojnë në mënyrë të paepur çdo masë konkrete dhe çdo reformë, të cilën Syriza përpiqet e detyruar ta zbatojë. Debati publik humbet në një rrëmujë akuzash reciproke, akuzash dhe shpifjesh. Paaftësia e partive për të arritur edhe një konsensus qoftë edhe minimal e vështirëson shërimin e nevojshëm të vendit. Pjesë të shoqërisë i kthejnë krahët politikës, jo pak qytetarë ndërkohë mbështesin parti ultra të djathta.

Në një fazë shndërrimesh si ajo që po përjeton shoqëria greke aktualisht, do të nevojiteshin parti të ndërgjegjshme për përgjegjësinë e tyre. Parti që janë të të njëjtit mendim për nevojën e reformave që duhen kryer dhe që grinden vetëm për idetë më të mira.

Syriza është ndërkohë përgjegjëse për tri votimet në vitin 2015 me rezultatet krejt të ndryshme. E vëmë me bast që kjo parti së shpejti do të bëjë thirrje për zgjedhje të reja – nëse kreditorët nuk premtojnë qethje të qartë të borxheve deri në fund të vitit? Dhe argumentimi për këtë hap do të tingëllojë sërish heroik: “Duhet t’ua tregojmë sërish vendin torturuesve të kombit!” DW

 

SHKARKO APP