Operacioni në Veri! Reagon KFOR: Ne nuk morëm pjesë në aksionin e policisë së Kosovës

Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, tha se nuk ka qenë prezent në aksionin e policisë së Kosovës në Veri kundër institucioneve financiare serbe në Kosovë. KFOR ka theksuar se është njoftuar “pak kohë” para se autoritetet kosovare të sigurisë të nisnin operacionin.

Teksa po zhvillohej aksioni, makinat e KFOR-it, por edhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), u panë në veri. “Personeli i KFOR-it nuk u përfshi në zbatimin e këtyre operacioneve”, u tha në njoftimin e KFOR-it të publikuar më 21 maj, një ditë pas operacionit. Ky mision tha se pret “konsultime në kohë” për çdo veprim të Policisë së Kosovës apo Forcës së Sigurisë së Kosovës “që mund të ndikojë te siguria rajonale”.

Gjatë operacionit policor, të kryer në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, autoritetet e Kosovës thanë se mbyllën gjashtë objekte të Bankës Kursimore të Postës dhe Bankës Popullore të Serbisë. Gjatë aksionit, që autoritetet e Kosovës thanë se kishte të bënte me vendosjen “e rendit dhe ligjshmërisë”, u konfiskuan prova të ndryshme, përfshirë para.

SHKARKO APP