Opozita gris propozimin francez
Seanca në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut për shqyrtimin e propozimit francez për anëtarësimin në BE edhe të Shqipërisë, u ndërpre për të vijuar nesër rreth mesditës.
Deputetë të VMRO-DPMNE-së në opozitë penguan fjalimin e kryeministrit Kovaçevski, duke përdorur vuvuzela. Në të njëjtën kohë, ligjvënësit e partive në pushtet u ngritën në këmbë duke duartrokitur në mbështetje të kreut të qeverisë.
Në fillim të seancës ishte një deputete e VMRO-DPMNE-së që mori fjalën, duke grisur disa fletë që përmbanin propozimin francez për kuadrin negociues me BE-në. Opozita në Maqedoni të Veriut e kundërshton planin Macron, që zgjidh mosmarrëveshjet me Bullgarinë, me arsyetimin se nuk mbron identitetin, gjuhën dhe historinë e vendit.