Osmani: Beogradi kërkon luftë, donte destabilizimin e rajonit! Bërnabiç: S’jemi përfshirë në sulmin e Banjskës

Gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Kosova dhe Serbia u përfshinë në debate, ku presidentja Vjosa Osmani tha se pas ngjarjes së Banjskës fshihej Serbia që dëshiron të marrë territore, por nuk do ta realizojë. Sipas Osmanit plani me sulmin e Banjskës ishte destabilizimi i Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.

”Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo. Pas 24 shtatorit çdo gjë ka ndryshuar, nga njëra anë zotimi i Kosovës për ta mbrojtur integritetin mbetet i pandryshueshëm. Vendimi i Serbisë për ta destabilizuar Kosovën po shihet. Serbia priste që Kosova të bëhej si Krime, por u zu në befasi. Kosova vazhdon të bashkëpunojë ngushtë me aleatët për ti ndaluar këto”,-tha Osmani.

Po ashtu Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”, ndaj I bëri thirrje OKB që të merren masa ndaj beogadit.

“Për më tepër rritja e sigurisë në kufijtë e Kosovës me Serbinë, miratimi i masave të rrepta ndaj Serbisë siç kërkohet. Një rezolutë do të shënonte zotimin për të ruajtur paqen dhe sigurinë në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin e Evropës, kjo do të thoshte se demokracia nuk është e heshtur përballë regjimeve autokratike”, tha Osmani.

Kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, duke replikuar me Osmanin në Këshillin e sigurimit deklaroi se “Serbia nuk ka qenë e përshirë në sulmin e Banjskës duke akuzuar Kosovën se po bën spastrim etnik në veri dhe Banjska ishte pasojë e terrorit që Prishtina ka zbatuar ndaj serbëve.

“Ka ndodhur një konflikt i armatosur midis një grupi të armatosur të serbëve nga Kosova, Policisë dhe formacioneve paramilitare në Banjskë, hetimet janë në vazhdimësi për të hedhur dritë mbi të gjitha paqartësisë, përfshirë edhe mënyrën në të cilën dy nga tre serbët që kanë humbur jetën e tyre, që duket të jetë ekzekutim gjakëtoftë pasi që janë dorëzuar”, tha Brnabiç.

SHKARKO APP