Osmani i kthehet ashpër Konjufcës: Justifikime qesharake për letrën në KiE, rrëzuat të gjitha zotimet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i kundërpërgjigjet ashpër kryeparlamentarit Glauk Konjufca. Ky I fundit e arsyetoi vendimin për të mos e informuar të parën e shtetit lidhur me letrën që ministrja gërvalla i dërgoi këshillit të Europës, me faktin se Osmani gjendej jashtë vendit. Osmani ka thënë se me letrën e dërguar nga kryediplomatja, Gërvalla, ka rënë në ujë oferta e nënshkruar nga tre liderët institucional që nuk duhet të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova.
“Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë sepse ajo nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët e vendit. Prandaj është domosdoshmëri kushtetuese në përputhje me nenin 84 që qeveria ta koordinojë një veprim të tillë me udhëheqësen e politikës së jashtme që sipas kushtetutës sonë gjithnjë ka qenë dhe mbetet institucioni i presidencës”,-tha Osmani.
Sipas saj përpjekjet për të justifikuar moskoordinimin me largësinë nuk kanë lidhje me realitetin. Kjo tregon që në njëfarë mënyrë po tentohet që ky moskoordinim për një çështje kaq kapitale të lihet si faj të presidenca që për mua është shumë qesharake. Të gjitha institucionet e dinë shumë mirë që presidentja e vendit ka qenë 24 orë të çdo ditë të javës në komunikim me të gjithë për tema të rëndësisë sidomos në fushën e politikës së jashtme.
Në një përpjekje të fundit për t’i hapur rrugën anëtarësimin në Këshillin e Europës, më herët gjatë majit, ministrja e Jashtme Donika Gërvalla i dërgoi letër këtij organizmi, ku i informonte mbi ekzistencën e një draft statute të hartuar prej tyre për asociacionin, të cilin do ta dërgonin në kushtetuese.