Osmani kërkon heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës: Janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog

Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë ambasadoren Heleni Vakali, ka ritheksuar nevojën e heqjes së masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

Osmani tha se masat e BE-së, të vendosura vitin e kaluar ndaj Kosovës, janë të padrejta dhe krijojnë mungesë ekuilibri në dialog. Në takim u diskutua për zhvillimet e fundit në vend, procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe thellimin e bashkëpunimit Kosovë-Greqi në sfera të interesit të ndërsjellë. Osmani foli edhe për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i cili është në interes të të gjithë qytetarëve pa dallim. Ndryshe, BE vendosi vitin e kaluar masat ndëshkuese ndaj Qeverisë së Kosovës, për shkak të mos ndërmarrjes së masave për uljen e tensioneve në veri.

BE ka pezulluar përkohësisht punën në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim-Asociim dhe Kosova po ashtu nuk do të ftohet në takimet e nivelit të lartë, përveç atyre të fokusuara për diskutimin e krizës në veri në kuadër të dialogut. Tensionet në veri nisën më 26 maj 2023, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave me shumicë serbe, nën përcjelljen e policisë hynë në ndërtesat komunale.

Serbët lokalë protestuan duke mos njohur kryetarët shqiptarë në komunat e tyre. BE dhe SHBA kanë kërkuar veprime nga Qeveria e Kosovës, që janë zgjedhjet e reja në katër komunat veriore dhe rikthimi i palëve në tryezën e dialogut. Sipas BE-së për këto masa Qeveria është njoftuar më 28 qershor 2023 dhe se ato janë të revokueshme në varësi të zhvillimeve dhe vendimeve të kryeministrit Albin Kurti. Ky i fundit masat e BE-së për Kosovën i ka quajtur të padrejta, duke thënë se “Kosova nuk mund të bëjë kompromis me sundimin e ligjit e as me kushtetutshmërinë e vendit”.

SHKARKO APP