Osmani: Vrasja e Liridonës krim monstruoz, të dënohen autorët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas vrasjes së Liridona Ademaj-Murseli. Osmani thotë se vrasja e Liridona Ademajt është krim monstruoz që duhet të marrë dënimin e merituar.
“Femicidi është dëshmi rrëqethëse që shpërfaq pabarazinë e rrënjosur thellë dhe dhunën me të cilën përballen gratë. Është një rrëfim tragjik i jetëve të shkurtuara brutalisht vetëm për shkak të gjinisë.
Humbja e jetëve të grave nga duart e burrave është një njollë në ndërgjegjen tonë kolektive. Prandaj, është nevojë urgjente që të forcohet zbatimi i ligjit dhe kryerësit e krimeve të tilla të llahtarshme të përballen me dënimet më të ashpra të parapara me ligj”, ka theksuar ajo.
Presidentja Osmani ka shkruar se “ky krim i tmerrshëm kërkon veprim të shpejtë dhe vendimtar për t’u siguruar që drejtësia të mbizotërojë dhe që autorët ta marrin dënimin, i cili pasqyron peshën e kësaj vepre makabre penale”.