Papa Françesku: Bashkëjetesa në Maqedoninë e Veriut, shembull në Evropë

Papa Françesku arriti të martën në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në vizitën e parë në këtë shtet të një drejtuesi të kishës katolike. Ai do të drejtojë një meshë në përkujtim të Nënë Terezës, humanistes së njohur botërore dhe fitueses së çmimit Nobel, që ka lindur në Shkup.

Ati i shenjtë, gjatë qëndrimit njëditor në Maqedoninë e Veriut u takua me presidentin në largim, Gjorgje Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev, i cili vizitën e Papës në Shkup, e ka vlerësuar si historike dhe që mbart mesazhin e pajtimit dhe solidaritetit.

“Jam shumë i gëzuar që jam ne vendin e shenjtores Nënë Tereza dhe mund të bëj një lutje në Kishën ku ajo është pagëzuar në Kishën “Zemra e Shenjtë e Jezusit”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku gjatë qëndrimit në Shkup.

“Për mua do të jetë nder i madh që për disa orë do të mund të lutem në Shtëpinë Përkujtimore dedikuar asaj, e cila është ndërtuar në vendin ku ishte para kësaj Katedralja katolike”, tha Papa Françesku,

“Duhet të jeni të lumtur që bëni pjesë si bashkëqyetarë të kësaj gruaje të madhe”, ka theksuar Papa Françesku pas takimit që ka patur me presidentin në largim, Gjorge Ivanov dhe kryeministrin Zoran Zaev.

Papa Françesku është ndalur në rëndësinë e karakterit shumë-etnik që ka Maqedonia e Veriut si shtet.

“Përkatësitë e ndryshme fetare dhe etnike, mes maqedonasve, shqiptarëve, serbëve, kroatëve dhe të tjerëve, ka krijuar një mozaik të bukur, e i cili do të zbukurohet edhe më tej nëse do të dini që ta bartni këtë mozaik edhe në gjeneratat e reja”, ka theksuar Papa Françesku,

Në fokus të fjalës së tij për mediat, ka qënë dhe përballja e Maqedonisë me krizën e migrantëve

“Solidariteti me kohë që u është ofruar atyre, që atëherë kishin më shumë nevojë për atë, sepse krahas shtëpisë, punës dhe atdheut që i kanë humbur, ata i kanë humbur edhe më të afërmit e tyre, ju bën të ndershëm dhe flet për shpirtin e këtij populli, e cila e di se si është të humbasësh dhe mund të njihet se përmes solidaritetit dhe ndarjes mund të gjendet dalja dhe rruga drejt çdo zhvillimi qenësor”.

“Shpresoj se ju do ta ruani këtë solidaritet që është i domosdoshëm në këtë moment kritik të paparashikueshëm në dobi të çdo vepre nga puna humanitare vullnetare”, ka theksuar kryetari i Kishës romake-katolike, Papa Françesku.

Papa Françesku më pas është është përkulur para përmendores së Shën Terezës të vendosur para shtëpisë përkujtimore të shenjtores Nëna Terezë ku është takuar me liderët e komuniteteve fetare në Maqedoninë e Veriut./Rel

SHKARKO APP