Pas tensioneve të forta, kryeministrja e Serbisë vizitë zyrtare në Kosovë. Zbardhet axhenda
Pas replikane dhe gjuhës së fortë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, pritet që të vizitojë Kosovën më 5 shtator. Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka konfirmuar për ”Radion Europa e Lirë” se janë përgjigjur pozitivisht për këtë vizitë. “Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Sipas njoftimit që e ka bërë Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Bërnabiç do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviç.
Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviç, drejtor i kësaj zyreje. “Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës. Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, thuhet në njoftim.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Bërnabiçit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”. /REL/