“Perëndimi i Tsipras”

Syriza, partia qeverisëse e Greqisë, po shkon drejt humbjes elektorale. Por ajo e ka qeverisur vendin më mirë, sesa shumë mund të prisnin

 

Për një burrë që po përballet me rezultate negative të sondazheve për zgjedhjet elektorale, Alexis Tsipras, Kryeministri 44-vjeçar i Greqisë, duket shumë i qetë, njësoj si edhe Sokrati në momentin që po përgatiste helmin e tij, shkruan The Economist.

Fillimisht ai u shpreh se nuk u beson rezultateve të sondazheve, edhe pse rezultatet e 12 prej sondazheve që po zhvillohen tregojnë se partia e tij, Syriza, ka humbur shumë pikë ndaj kundërshtares së saj kryesore, Partisë Demokracia e Re, ai përsëri mendon se ato nuk janë të sakta. “Ato janë thjesht rezultate të gabuara. E njëjta situatë ndodhi edhe gjatë referendumit, ku u parashikua një rezultat i ngushtë, por e vërteta është se ne fituam me 61.3%”, tha ai më tej.

Por ai mund të jetë i vetmi që mendon se situata mund të përsëritet. Zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të Greqisë duhet të mbahen në tetor të këtij viti (edhe pse shumë mendojnë se ai do t’i zhvillojë ato në 26 maj, në të njëjtën kohë kur do të mbahen edhe zgjedhjet e Parlamentit Europian).

Në një intervistë dhënë për “The Economist”, ai dukej më shumë si një njeri i qetë që po përpiqej të zbulonte të vërtetën e sondazheve, sesa i shqetësuar për të ardhmen e tij dhe të Partisë së tij. Fitorja e zgjedhjeve të datës 25 janar 2015, që solli në pushtet partinë Syriza, të Koalicionit të së Majtës Radikale, shkaktuan një valë tronditëse në të gjithë Europën. Liderja e Partisë franceze të Frontit Nacional, Marine Le Pen, e cilësoi atë si një “goditje masive” ndaj BE-së; agjencitë e vlerësimit diskutuan shumë për një ekonomi që do të shënonte rënie; ndërsa Kancelarja gjermane Merkel paralajmëroi se Greqia duhej t’u përmbahej angazhimeve të saj mbi masat shtrënguese dhe zbatimit të reformave.

Dhe, ajo kishte të drejtë të shqetësoj. Përpara se të fitonte referendumin, z. Tsipras dhe Partia e tij Syriza u dhanë fund bisedimeve për një shpëtim të ri, e organizuan referendumin mbi kushtet e caktuara dhe të kërkuara nga BE-ja, dhe me shumë kujdes arritën të fitonin. Por kthesa e z. Tsipras pas përfundimit të referendumit ka qenë befasuese, ndoshta një prej më befasueseve në të gjithë historinë europiane. Ministri i tij i Financave, Yanis Varoufakis, u largua; u pranuan kushtet e programit të shpëtimit (të cila z. Tsipras kishte thënë se do t’i refuzonte) dhe u zbatua plotësisht faza e tij e fundit.

Është rikthyer rritja ekonomike, edhe pse në nivele të ulëta (1.9% vitin e kaluar) dhe qeveria i ka përmbushur më shumë sesa pritej detyrimet e vendosura nga Brukseli, duke shënuar një suficit primar prej 3.5%. Shkalla e papunësisë prej 28% ka rënë në 18% (gjithsesi nivel ende i lartë). “Ne duhet të luftoni shumë për t’u treguar jo vetëm qytetarëve grekë por edhe të gjithë botës se ne mund t’ia dilnim mbanë. Rezultatet e mësipërme janë shumë të rëndësishme”, tha më tej z. Tsipras.

Besueshmëria është e rëndësishme për z. Tsipras, dhe jo vetëm për të dhe për partinë e tij por për të gjithë Greqinë, si një mënyrë për t’u vërtetuar të gjithëve se Greqia e ka marrë veten plotësisht nga kaosi i krizës financiare të vitit 2008. Ndërsa PBB-ja e vendit ra me 25%, Greqia zhvilloi pesë zgjedhje të përgjithshme midis periudhës 2013-2015. “Unë nuk do të zhvilloj zgjedhje të parakohshme, sepse dua të tregoj se ky është një shtet që i është rikthyer normalitetit. Për mua, rikthimi në normalitet është edhe arritja më e madhe, tha z. Tsipras.

Ai shtoi se në vend të koalicioneve të paqëndrueshme, Greqia ka tani një ndarje të qartë midis progresistëve dhe konservatorëve. Ne kemi treguar se Syriza është një parti kompromisi dhe se ajo është partia qeverisëse e qendrës së majtë. “Partia jonë është pjesë e familjes së madhe europiane të krahut të majtë. Dhe nëse je pjesë e qeverisjes së një vendi, atëherë duhet të bësh dhe kompromise”, tha z. Tsipras.

Progresi i dukshëm i Syriza-s nga një parti radikale në një parti të qendrës së majtë, nuk i ka bindur të gjithë, përkundrazi numri i skeptikëve është i madh. “Në thelb, kjo është një parti që vazhdon të jetë e painteresuar në nxitjen e investimeve”, shprehet një bankier. Shumica e rregullimeve fiskale të Syriza-s ka qenë në formën e taksave më të larta për grekët e klasës së mesme, në vend që të ulin shpenzimet apo privatizimin e ri. Edhe pse mbledhja e taksave është përmirësuar, Syriza ka bërë pak në drejtim të rritjes së produktivitetit grek, si pasojë e së cilës pritet të ndodhin shumë probleme në të ardhmen. “Edhe pse për momentin ekonomia është në një suficit primar, ne do të na duhen më shumë investime nëse do të duam të rritemi”, tha më tej bankieri.

Por me bankat greke me një nivel të lartë të kredive të këqija, prej 45%, shkalla e ulët e investimeve të Greqisë nuk pritet të shënojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm. Investimet e Huaja Direkte mund të sjellin ndryshimin, por qeveria e Syriza-s ka bërë pak në këtë drejtim. Një investim i madh kinez në Portin e Pireut, po pengohet nga kundërshtimet burokratike. Avokatët kritikojnë në këtë drejtim sistemin e ri gjyqësor që sipas tyre është i politizuar. Qëndrimi i partisë së Syriza-s ndaj arsimit e shton skepticizmin për këtë parti.

Ndryshime të shumta, duke filluar nga më të voglat deri tek ato më të mëdhatë, si për shembull mosvazhdimi i traditës ku nxënësi më i mirë në shkollë mban flamurin grek në paradën që organizohet në ditët e festave kombëtare janë tregues që, sipas skeptikëve, e lidhin partinë qeverisëse të Syriza-s me kundërshtimin e meritokracisë. Akuza më të rënda kanë të bëjnë me përfaqësimin e këshillave drejtues të universiteteve nga studentë të politizuar.

Qëndrimi i ashpër i Syriza-s në treg dëshmohet edhe nga fakti se Greqia është i vetmi vend në botë, përveç Kubës që nuk lejon universitetet me pronësi private, shprehet një industrialist i rëndësishëm. Për universitetet e huaja që janë të interesuara në ofrimin e kurseve në Greqi, është bërë thuajse i pamundur praktikisht, vetëm falë ndërhyrjeve të vazhdueshme burokratike.

Po nëse ditëve të qeverisjes së z. Zsipras po i vjen fundi, kush mund të jetë njeriu që do ta zëvendësojë atë në zgjedhjet e këtij viti?
Mendohet se ai që do të zëvendësojë z. Tsipras do të jetë Kyriakos Mitsotakis, kreu i Partisë Demokracia e Re. E kundërta e Kryeministrit karizmatik, z. Mitsotakis, i diplomuar në Shkollën e Biznesit në Harvard dhe djali i një prej ish-kryeministrave të vendit, thuhet se do të jetë një përfaqësues i denjë i elitës së Athinës. Por nëse arrin të fitojë zgjedhjet, z. Mitsotakis do t’i duhet të ndryshojë dhe të rregullojë shumë gjëra në partinë e tij, e cila, sipas shumë kritikëve mund të jetë një prej faktorëve kryesorë që mund t’i shkaktojë atij probleme.

Shumë grekë e fajësojnë Partinë Demokracia e Re për kapitalizmin miqësor dhe ngurrimin për të paguar taksat. Kjo parti vazhdon të jetë ende thellësisht konservatore. Ajo u përpoq të parandalonte z. Tsipras nga lejimi i çifteve homoseksualë që të lobonin në shkolla të ndryshme dhe të ndalonte (edhe pse dështoi) nënshkrimin e marrëveshjes me fqinjin e saj verior për ndryshimin e emrit të tij në Maqedonia e Veriut, marrëveshje e cila i dha fund edhe një konflikti prej 27 vitesh.

Edhe pse të shumtë janë ata që e fajësojnë dhe e kritikojnë qëndrimin e partisë së tij, do të ishte një gabim i madh nëse edhe vetë z. Mitsotakis do të nënvlerësohej. Ai ka transformuar financat e partisë, dhe është shprehur se z. Tspiras ka vepruar shumë keq gjatë kohës që ka qenë në pushtet, sepse krahasuar me Portugalinë, progresi i kësaj të fundit ka qenë më i shpejtë sesa ai i Greqisë. Prioriteti i tij i parë do të jetë reforma e taksave, veçanërisht për të lehtësuar barrën e biznesit.

Ai do të vazhdojë me privatizimin dhe do të kërkojë nënshkrimin e një marrëveshje më pak të ashpër me kreditorët e Greqisë. “Në momentin që mora drejtimin e partisë Demokracia e Re, ajo ishte në një krizë të thellë financiare dhe ia dola që ta ndryshoja atë duke shënuar rezultate pozitive, dhe kam bindjen se mund të arrij të njëjtën gjë edhe për Greqinë”, tha në fund z. Mitsotakis.

Monitor.al

SHKARKO APP