Plani i Malit të Zi për të drejtën e informimit vihet në dyshim

Mali i Zi po reformon Lirinë e Informacionit sipas kërkesave të BE-së, por disa OJQ dyshojnë se të dhënat publike do të qëndrojnë të kufizuara për shkak të një mungese të vullnetit politik.

Nga Dusica Tomovic, BIRN

Mali i Zi po bën lëvizje për të reformuar Aktin për Lirinë e Informacionit duke rritur penalitetet dhe numrin e shkeljeve që mund të sanksionohen për moszbatim të ligjit mbi të dhënat publike.

Projektligji, i propozuar nga Ministria e Kulturës, pason paralajmërimet nga Brukseli që legjislacioni malazez duhet të përputhet me standardet e BE-së dhe pason një polemikë të vitit të shkuar kur qeveria i mohoi OJQ-ve dhe mediave akses në kontratat e privatizimit.

Një dokument qeveritar që BIRN e ka parë, thotë se në negociatat e marrëveshjes me BE-në, në kapitullin e Shoqërisë së Informacionit dhe Medias, Mali i Zi duhet të zbatojë rregullat e BE-së mbi përdorimin e informacionit nga sektori publik.

Projektligji i kërkon agjencive të publikojnë shumicën e informacionit qeveritar vazhdimisht dhe të lançojnë një Portal të të Dhënave të Hapura – por gjithashtu ruan kufizimet në lidhje me konfidencialitetin dhe mbrojtjen e të dhënave personale.

Ligji specifikon një limit kohor prej 15 ditësh ndaj të cilit autoritetet duhet të lëshojnë një përgjigje për çdo kërkesë informacioni ose të japë arsye përse kërkesa mund të refuzohet.

E drejta për të aksesuar informacion është garantuar tashmë në Mal të Zi nga kushtetuta dhe gazetarët mund të kërkojnë informacion publik sipas ligjit të lirisë së informacionit të vitit 2005.

Megjithatë, qeveria nuk e respekton gjithnjë ligjin 2005, veçanërisht kur gazetarët dhe OJQ-të kërkojnë informacion rreth aseteve publike të privatizuara apo kur kërkojnë informacion për zbulim të mundshëm të korrupsionit.

OJQ-ja MANS tha se Mali i Zi ka një rregullim solid kur vjen puna për akses të lirë në informacion, por zbatimi mbetet problem.

Investigatori i MANS, Vuk Jankoviç i tha BIRN se sektori i shërbimit civil dhe media vazhdimisht përballen me “heshtje të administratës”.

“Kjo është veçanërisht e zakonshme kur një institucion do të fshehë një lloj specifik të të dhënave, megjithëse nuk ka bazë ligjore për të,” tha ai.

Puna monitoruesve të mirënjohur mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe keqpërdorimin e fondeve shtetërore e ka sjellë atë në konflikte të rregullta me qeverinë.

OJQ-ja harton qindra kërkesa për të drejtë informacioni çdo vit por Jankoviç tha se kërkesat e tyre kryesisht refuzohen në lidhje me borxhin publik, garancinë bankare, kontratat e privatizimit dhe transaksionet e tjera financiare.

Sipas raportit më të fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit publikuar në korrikun e shkuar, refuzimi për dhënie informacioni nga institucionet shtetërore shpesh vjen për shkak se mund të zbulohet korrupsioni apo aktivitete të paligjshme, me justifikimin e konfidencialitetit, interesave shtetërore dhe informacionit personal.

SHKARKO APP