Presidenti Begaj: Serbia nuk promovon paqen, por destabilitet në veri të Kosovës
Presidenti Bajram Begaj, thotë se Serbia nuk promovon paqen, por thjesht hiqet sikur është neutrale. Në një intervistë për ”RTK”, Begaj theksoi se në këtë përplasje duhet pasur parasysh lufta në Kosovë për të kuptuar se duhet menduar dy herë hapi para se të prodhohet një konflikt i ri.
”Situata e krizës së 31 korrikut ishte vërtetë serioze. Falenderoj shtetin e Kosovës për maturinë e treguar në zgjidhjen e këtij konflikti. Vendimmarrja e qevrisë së Kosovës tregoi maturi nga ana e saj. Besoj se me mbështetjen e atyre që ne kemi aleatë strategjikë. SHBA dhe BE do të garantojmë që statusi i Kosovës të jetë i patjetërsueshëm.
Ne jemi në krah të Kosovës dhe besoj se rruga e duhur është dialogu me Serbinë për të arritur paqen e përhershme. Nuk duhet të analizojmë retorika për çështje nacionale. Jemi në kohën e modernizmit.
Nuk do të pranohet në asnjë rrethanë dhuna. Dhuna sjell mjerim. Mesazhet do të jenë të qarta që të garantohet që kushdo që të promovojë dhunën, do të dënohet. Serbia nuk promovon paqen, por hiqet dhe duket sikur është neutrale, por promovon destabilitet në veri të Kosovës”.