Presidentja Osmani në Bruksel: Serbia po planifikon su*lme të reja, të sanksionohet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, para samitit BE-Ballkan Perëndimor në Bruksel ka kërkuar që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës duke thënë se janë jo proporcionale dhe të padrejta dhe se ato masa po ndikojnë drejtpërdrejtë në jetët e qytetarëve të Kosovës.
“Erdha këtu me një numër mesazhesh, duke përfaqësuar kosovarët, fillimisht për të bërë thirrje tek liderët e BE-së që menjëherë t’i heqin masat joproporcionale dhe jo të drejta, sepse Kosova ka marrë të gjitha masat për de-eskalim situatën dhe besoj se BE-ja duhet t’i heq ato masa sepse po dëmtojnë qytetarët e Kosovës, sepse po flasim për projekte për ujin e pijes, menagjimin e mbeturinave, dhe projekte që ndikojnë direkt në jetën e tyre”, tha ajo.
Po ashtu Osmani ka kërkuar nga shtetet anëtare që t’i vendosin sanksione Serbisë për sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjskë në Veri të Kosovës. Presidentja ka thënë se Serbia si një sponsore dhe orkestruese e atij sulmi duhet të ndëshkohet dhe kjo sipas saj është e rëndëishme që të ndodhë për të parandaluar përsëritjen e një tjetër sulmi.
“Kur flas për masat, spo flas për ndëshkim, po flas për parandalim. Është gjuha e vetme që e merr vesh Serbia. Pa masa, është ftesë për ta që të sulmojnë përsëri”, ka thënë Osmani duke shtuar se Serbia, sipas saj, po planifikon sulme të reja.