Progresi i vendeve të rajonit, Serbia më e kritikuara për korrupsionin nga ekspertët e BE
Bashkimi Evropian pritet të heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, pas rritjes së tensioneve në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe. Lajmi u dha nga komisionerja për Zgjerim, Marta Kos nga Brukseli, pas prezantimit të progres-raportit për vendet kandidate për në BE, ku vlerësohej përparimi i Kosovës në disa fusha, përfshirë në luftën ndaj korrupsionit.
Serbia është vendi i rajonit që ka shënuar përkeqësim në luftën ndaj korrupsion. Është ky shqetësimi që ngrihet në progres-raport, ku thuhet dhe se ”Reformat janë ngadalësuar ndjeshëm. Ka pakënaqësi nga qytetarët për shkak të korrupsionit, mungesës së llogaridhënies dhe presionit”. Qëndrimi i komisioneres Kos ndaj Beogradit ishte kritik.
”Sa i përket Serbisë, progres-raporti është kritik, sigurisht. Qeveria dhe Vuçiç na kanë premtuar se do arrijnë t’i përmbahen angazhimeve. Ne po presim që kjo të ndodhë në të ardhmen e afërt. Ne duhet të pranojmë që duhet të ketë një ritëm tjetër, në zbatimin e rekomandimeve që kanë të bëjnë me ligjin e ri elektoral”, shtoi Kos.
Komisionerja Marta Kos kishte kritika dhe për Maqedoninë e Veriut, për të cilën tha se nuk ka ndërmarrë hapa vendimtarë për të përparuar në procesin e negociatave, por vlerësoi punën e Malit të Zi, duke e vlerësuar, ashtu si Shqipërisë, lider në procesin e anëtarësimit. ”Mali i Zi është më i avancuari dhe më i përgatituri drejt zgjerimit. Mali i Zi kërkon të përfundojë negociatat në fund të 2026-s. Së shpejti do të kemi lajme pozitive. Do kemi edhe një paketë financiare për Malin e Zi”.
KOHA JONË SONDAZH

