Pse votojmë qeveritë që nuk i duam?
Nga Vesko Garçeviç
Zgjedhjet e fundit në Beograd vërtetuan edhe njëherë se ballkanasit nuk i duan qeveritë e tyre, por sërish votojnë partitë që janë në pushtet. Kur isha ambasador i Serbisë dhe Malit të Zi në Vjenë, Vuk Draskoviç, në atë kohë ministër i Jashtëm më tregonte një anekdotë për “opozitarizmin e tij të lavdishëm” si kundërshtari kryesor i Slobodan Millosheviçit.
Jemi në fillim të viteve ’90. Gjatë fushatës elektorale në një nga zona rurale të Serbisë Lindore, Draskoviç po zhvillonte një takim me fermerët, që e lanë pa fjalë me logjikën dhe argumentin e dhënë se përse nuk do të votonin për partinë e tij. “Do të të votojmë kur të vish në pushtet!”, i thanë ata.
Pak vite më parë, zhvillova takime me qytetarët si koordinator kombëtar i NATO-s në Malin e Zi. Asgjë nuk më bërë përshtypje më shumë sesa mungesa kronike e optimizmit që vura re. Askush nuk e besonte, as e dëshironte qeverinë, as partinë në pushtet, por ishin akoma më të zhgënjyer dhe kishin më pak respekt për aktorët e tjerë politikë në Malin e Zi.
Si funksionon kjo marrëdhënie dashuri-urrejtje? Çfarë i bën ballkanasit që të duan njerëzit në pushtet? Frika apo pasiguria nga ndryshimi, apo që të dyja?
E vërteta është që menjëherë sapo ngjiten në pushtet, elitat politike ballkanase kanë tendenca që të qëndrojnë aty përjetësisht. Ky është një fenomen politik që nuk është shpikur në Ballkan, nuk mban vulën tonë, por në Ballkan është më i theksuari në gjithë Europën.
Problemi është i thellë dhe pjesë e tij janë të gjithë aktorët politikë në të gjithë rajonin, si ata që sot janë në pushtet, ashtu edhe të tjerët që janë në opozitë.
Skenari i rezultatit të zgjedhjeve vendore në Beograd, që Vuçiç i quajti “festival i demokracisë” mund të përsëritet së shpejti në zgjedhjet Presidenciale në Mal të Zi. Partia Demokratike e Socialistëve duket e konsumuar pas dy dekadave në pushtet, por sërish opozita duket e paaftë për të gjetur një formulë suksesi dhe numri i kandidatëve nga radhët e saj sa vjen e shtohet.
Panorama politike sot për të gjithë rajonin është gri. Grija është perfekte dhe e përshtatshmja për të përshkruar atë që po ndodh politikisht në rajon, duke lënë mënjanë problemet endeime, si korrupsioni apo mungesa e demokracisë.
Kosova duket se ka një probleme më të shkuarën e saj dhe me konceptin e drejtësisë. Kroacia gjithashtu ka të njëjtin problem dhe këtë e tregoi Këshilli i Pasojave të Regjimeve Autokratike, që propozoi disa amendime ligjore që do të lejonte “ekskluzivisht” veteranët e Luftës së Dytë Botërore që të përdorin sloganin fashist të Ushtasave “Za Dom Spremni” (Gati për Atdheun!)
Problemin më të madh me të shkuarën e saj e ka Serbia, sidomos me rolin protagonist që luajti në konfliktet e viteve ’90. Jo shumë kohë më parë, ministri serb i Mbrojtjes tha se Beogradi duhet të kërkojë ndarjen e Kosovës për të siguruar anëtarësimin në BE. Llogaritë janë të qarta; flasim për ndarjen e Kosovës, por nënkuptojmë edhe Republikën Serbe të Bosnjes.
Bosnja ka problem me të tashmen. Nën presionin e Erdogan, qyteti i Sarajevës tërhoqi vendimin për të nderuar nobelistin Orhan Pamuk, shkrimtar e aktivist i njohur për qëndrimet e tij anti-Erdogan. Pamuk ishte i denjë për një çmim Nobel, por jo për qytetin e Sarajevës. Sinjalet më shqetësuese mbërrojnë nga Republika e Serbëve të Bosnjes. Entiteti kryesor i serbëve bleu 1700 armë ushtarake, të cilave do t’u shtohen edhe 2500 të tjera së shpejti. Përse? Për të mbrojtur veten?! Nga kush?!
Të gjitha vendet po përpiqen që të ngjisin malin e quajtur “reforma demokratike dhe shteti ligjor”, me shpresën që nuk do të rrokullisen mbrapsht. Megjithatë, i vetmi sinjal pozitiv mbërrin nga Maqedonia dhe qeveria e saj e re, që po përpiqet të rikthejë vendin në shinat që çojnë drejt Brukselit.
Cilat janë alternativat? Fatkeqësisht, përveç disa zërave të shoqërisë civile dhe të disa politikanëve të zhvlerësuar nga votuesit, opozitarizmi në rajon nuk duket më mirë se ata në pushtet, për të mos thënë më keq. E fragmentuar, e çorganizuar, pa vizion dhe e drejtuar nga udhëheqës të vetëpromovuar, fati i kësaj opozite është dështimi.
Në këto kushte, nuk duhet të habitemi se përse shumica e ballkanasve, ata që nuk kërkojnë thjesht fytyra të reja në politike, qëndrojnë në shtëpi dhe nuk votojnë. Janë me miliona prej tyre, të rinj, të edukuar, por të zhgënjyer dhe të pakënaqur, që ëndërrojnë të jetojnë një jetë normale, por fatkeqësisht larg vendit të tyre. Këta janë potenciali i pazbuluar i shoqërive ballkanase, por që aktorët politikë nuk i arrijnë dot, pasi ata nuk janë votues tipik.
Në këtë moment, asnjë forcë politike në rajon nuk duket në gjendje që të tërheqë vëmendjen dhe interesin kësaj pjese të shoqërisë, që do të pasonte transformimin, ndaj kur të vijë viti i “anëtarësimit”, nëse do të vijë ndonjëherë…ata nuk do të jenë më në Ballkan, por duke jetuar gjëkundi, në një vend më të mirë.
Autori Vesko Garçeviç është ish-ambasador i Malit të Zi në NATO dhe OSBE. Aktualisht është profesor në Frederick S. Pardee School of Global Studies, Boston University.
Marrë nga BIRN