Reagime në Maqedoninë e Veriut pas paradës së policisë speciale në Kumanovë para protestës për gjuhën shqipe

Çlirim Iseni, student dhe një nga organizatorët e protestës së paralajmëruar për të drejtat e përdorimit të gjuhës shqipe në Maqedonia e Veriut, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë një paradë të forcave speciale maqedonase në Kumanovë.

Në videot që janë bërë virale në rrjetet sociale, shihen pjesëtarë të policisë speciale teksa zhvillojnë stërvitje në rrugët e qytetit dhe dëgjohen duke brohoritur: “Këtu ka vetëm Maqedoni, le ta mësojnë të gjithë”.

Reagimi i Isenit erdhi vetëm dy ditë para protestës së planifikuar nga studentët shqiptarë, ku kërkohet respektimi dhe avancimi i të drejtave për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në deklaratën e tij publike, ai ngriti pikëpyetje nëse prania e forcave speciale dhe thirrjet nacionaliste përbëjnë një rastësi apo një mesazh paralajmërues ndaj organizatorëve të protestës.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Dy ditë para protestës së studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe, një tog i policisë speciale të RMV-së parakalon me brohoritje nacionaliste nëpër Kumanovë. Pyetja që lind është nëse kjo është një rastësi apo një paralajmërim”, deklaroi Iseni.

Ai theksoi se protestuesit do të vazhdojnë të ndjekin forma paqësore dhe demokratike për realizimin e kërkesave të tyre, duke shtuar se gjuha shqipe meriton status të plotë institucional.

Në reagimin e tij, Iseni rikujtoi edhe historinë e lëvizjeve studentore gjatë periudhës jugosllave, duke theksuar se përpjekjet për shtypje vetëm sa e kanë forcuar kauzën shqiptare ndër vite.

“Kohezionin ndëretnik shpesh e kanë rrezikuar pikërisht ata që duhet ta kultivojnë – shteti. Le të kujdesemi për një shtet të ndershëm dhe demokratik për të gjithë, duke ruajtur orientimin euro-atlantik të vendit. Shqipja do të bëhet, se s’bën ndryshe”, përfundoi ai.

Protesta e studentëve shqiptarë është planifikuar të mbahet të hënën, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive dhe zhvillim paqësor të tubimit.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Kush është problemi sot: Edi Rama apo Sali Berisha?