REL: Xhaferi merr detyrën e kryeministrit teknik të Maqedonisë së Veriut
Kryeministri teknik i Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të hënën, më 29 janar ka marrë zyrtarisht detyrën nga paraardhësi i tij, Dimitar Kovaçevski.
Qeveria teknike do të funksionojë për 100 ditë dhe do të ketë mandat për organizimin dhe mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 8 maj.
Pas marrjes së detyrës së re, Xhaferi tha se do të bëjë gjithçka “për të punuar në të mirë të vendit dhe të qytetarëve”.
Ai tha se kabineti teknik do të vazhdojë punën për realizimin e programit të Qeverisë së deritanishme të Kovaçevskit.
“Nuk ka dyshim se detyrë parësore e kësaj Qeverie është përgatitja dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, demokratike në një procedurë të hapur dhe ligjore të drejtpërdrejtë dhe bashkëpunim me Kuvendin. Qeveria do të zbatojë të gjitha parakushtet ligjore për të mundësuar standardet më të larta evropiane në fushatën elektorale dhe mbajtjen e tyre bazuar në vullnetin e qytetarëve”, u shpreh Xhaferi në një paraqitje para mediave së bashku me ish-kryeministrin, Dimitar Kovaçevski.
Xhaferi tha se prioritet i Qeverisë teknike do të jetë edhe “realizimi i politikave për zhvillim ekonomik, ruajtjen dhe avancimin e standardit të qytetarëve”, si dhe vazhdimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian.
“Ruajtja dhe avancimi i partneritetit strategjik të Maqedonisë së Veriut me BE-në, me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara si qëllime strategjikeqë nga pavarësia e shtetit, mbeten prioritet parësor i kësaj Qeverie. Kjo edhe për faktin duke marrë parasysh zhvillimet gjeopolitike, pasi lëkundja apo mospasja e orientimit të qartë evropian mund të shfrytëzohet nga shtete të treta për të destabilizuar vendin përmes shtrirjes së ndikimit këtu dhe në rajon”, tha ai.
Pjesë e Qeverisë teknike është edhe partia opozitare maqedonase, VMRO DPMNE, e cila në kabinetin e Xhaferit do të drejtojë Ministrin e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale dhe ka edhe tre zëvendësministra me kompetenca të veçanta.
Pavarësisht se është pjesë e Qeverisë, VMRO DPMNE-ja të dielën, më 28 janar, nuk votoi për ekzekutivin teknik.
Kjo parti edhe të hënën doli me akuza për personalitetin e Xhaferit të Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili e kishte nominuar për postin e kryeministrit.
“Talat Xhaferi është sinonim i një politikani dhe një personi që nuk është i denjë të jetë në këtë vend. Ai është afërt me botën e krimit dhe një person që ka bërë shkelje të ligjeve dhe rregulloret mbi punën e Kuvendit deri sa ishte kryetar i Kuvendit”, u tha në reagimin e VMRO DPMNE-së.
Kjo parti akuzoi edhe Lidhjen Social Demokrate (LSDM) “për dëmtimin e interesave maqedonase”.
“Besnikët e BDI-së dje [të dielën] e bënë popullin maqedonas qiraxhi në vendin e tyre dhe lejuan që një parti që nuk ishte fituese e zgjedhjeve të zgjedh kryeministër të vendit”, tha VMRO-ja.
Për zgjedhjen e ekzekutivit, votuan 65 deputetë, tre ishin kundër dhe nuk pati abstenim.
Për Bashkimin Demokratik për Integrim mbështetësit e këtij subjekti, zgjedhja e Talat Xhaferit për drejtimin e Qeverisë teknike, “është arritja më e madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut”./REL