Rritje pagash, vijojnë protestat e punonjësve të administratës

Për të katërtën ditë radhazi, në Maqedoninë e Veriut vijon protesta për ritjen e pagave me 30 për qind për nëpunësit e disa ministrive dhe institucioneve shtetërore. Qeveria shpreh dyshime se protestat janë të motivuara politikisht. Ajo e pranon se pagat nuk janë të larta, por arsyetohet se buxheti është i kufizuar.

Aktualisht, paga mesatare e punonjësve në Ministrinë e Kulturës, Drejtësisë, Mjedisit, Ekonomisë dhe Punës, Transportit dhe Transformimit Digjital, si dhe Entin Shtetëror të Statistikave, është rreth 471 euro. Paga mesatare në nivel shtetëror në Maqedoninë e Veriut është 684 euro. Protestuesit kërkojnë një rritje prej 100 eurove.

“Nëse Sindikata (AOGJSH) vërtet kujdesen për pagat e punonjësve, i ftojmë për bisedime me qëllim të gjetjes së zgjidhjeve reale. Përndryshe, mbetet dyshimi se AOGJSH punon për interesa të partive të caktuara, që synojnë të fitojnë pikë politike në kurriz të qytetarëve,” tha Qeveria në një reagim më 15 janar.

SHKARKO APP