Rruga mercenare e luftëtarëve serbë nga Ukraina në Siri
Paraushtarakët veteranë serbë të luftës së Bosnjës raportohet të jenë bërë pjesë e njësive mercenare të trupave ruse në Siri, pasi u paguan gjithashtu për të luftuar për rebelët pro-Moskë në Ukrainë.
Nga Marija Ristic, BIRN
Kur forcat qeveritare siriane pushtuan qytetin historik të Palmirës duke ia marrë Shtetit Islamik muajin e kaluar, presidenti Bashar al-Assad mori lavdinë, por sipas disa raportimeve të mediave ndërkombëtare, forcat ruse ishin përfshirë gjithashtu në betejë – të ndihmuar nga mercenarë që dikur luftuan në luftërat e Ballkanit.
Gazeta Daily Telegraph e Britanisë pohoi se një analizë e fotografive, postimet të mediave sociale dhe mediave iraniane, ruse dhe siriane tregoi se sulmi në qytet është udhëhequr nga trupat e Moskës.
Gazeta e pavarur ruse Fontanka gjithashtu publikoi një investigim muajin e kaluar duke pretenduar se në betejën për Palmirën, ushtria siriane u mbështet nga luftëtarët e ofruar nga një kompani private ushtarake e kontraktuar e quajtur Vagner, mercenarët e të cilët tashmë kanë pasur përvojë në konfliktin e Ukrainës.
Fontanka intervistoi disa mercenarë të punësuar nga Vagner, por paraqiti edhe dokumente e fotografi që tregojnë se luftëtarët e saj kanë qenë në Siri, përfshirë togën e ashtuquajtur serbe, që thuhet se udhëhiqet nga një serb boshnjak i quajtur Davor Dragoloboviç Saviçiç.
Saviçiç, një shtetas 42-vjeçar i Bosnjës dhe Hercegovinës, thotë se ai jeton në qytetin rus Khimki, ku punon në një kantier ndërtimi.
Ai i tha Fontankës se ai nuk ka marrë pjesë në luftime në Ukrainë dhe Siri, dhe nuk iu përgjigj mesazheve nga BIRN që i kërkuan koment mbi pretendimet.
Por Fontanka tha se kishte prova se Saviçiç është parë disa herë në një kamp trajnimi në fshatin rus Molkino, nga ku një numër i luftëtarëve të kontraktuar Vagner shkuan në Siri.
Luftëtarët që folën për Fontankan thanë se Saviçiç është vlerësuar shumë nga eprorët e tij në Vagner për shkak të përvojës së madhe në beteja, dhe iu dha emri i koduar Ujku për të pasqyruar forcën dhe guximin e tij në luftime.
Këto pretendime nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur, por rastësi ose jo, fotoja e profilit në Facebook e Saviçiç është gjithashtu një ujk.
Fontanka ka pretenduar se Saviçiç ishte i njohur si një yll në rritje në mesin e mercenarëve gjatë konfliktit në Ukrainën lindore, ku sipas shërbimeve të sigurisë së Bosnjës, ai ishte një prej shumë serbëve të Bosnjës që vendosën t’i bashkohen rebelëve pro-rusë.
Policia boshnjake tha për BIRN se ajo beson se mercenarët kanë një pikë takimi në Moskë dhe shumica e tyre janë regjistruar si punëtorë të përkohshëm në Rusi për të shmangur ndjekjen penale në shtëpi si luftëtarë të huaj.
Sipas ligjit boshnjak, njerëzit mund të burgosen nëse marrin pjesë në konfliktet e huaja, por deri më tani autoritetet e Sarajevës nuk kanë ndjekur penalisht askënd që ka luftuar në Ukrainë.
Ndryshe nga luftëtarë myslimanë nga Bosnja të cilët shpesh shkojnë në Siri për t’u bashkuar me Shtetin Islamik ose Al Nusran pa ndonjë përvojë luftarake, serbët e Bosnjës që janë bashkuar me forcat pro-ruse kryesisht kanë një histori luftimesh në luftërat jugosllave dhe mund të marrin deri në $ 2,000 në javë për shërbimet e tyre.
Davor Savicic e mori pseudonimin e tij të parë të betejës, Elvis, gjatë konflikteve të viteve 1990. Prokuroria boshnjake thotë se ai mori këtë emër popullor boshnjak prej shpirtit luftarak, sepse kishte shumë entuziazëm për të luftuar boshnjakët.
Të dhënat e policisë boshnjake sugjerojnë se Saviçiç ishte një anëtar i disa njësive të ndryshme serbe të Bosnjës, por ai e kaloi periudhën më të gjatë kohore duke luftuar së bashku me Tigrat e Arkanit, milicia e njohur e udhëhequr nga kriminel Zeljko Raznatoviç, i njohur si Arkani, i cili u vra në vitin 2000 para se të mund të gjykohej për krime lufte nga gjykata ndërkombëtare në Hagë.
Tigrat, të cilët në letër ishin paramilitarë, kishte lidhje të forta me shërbimin e sigurimit të shtetit serb – për të cilin Saviçiç ka punuar gjithashtu në një moment.
Në vitin 1998, kur konflikti në Kosovë filloi të përshkallëzohet, ai u bashkua me njësinë zyrtare të sigurisë shtetërore serbe të njohur si “Frenkijevci” , që do të thotë “Burrat e Frenkit”. Shefi i tyre, Franko Simatoviç, i njohur si Frenki, tani është në gjyq në Hagë për krime lufte.
Shumë dëshmitarë e përshkrojnë njësinë si një nga më të njohurat, e ngarkuar me detyrat më të vështira të cilat shpesh kanë rezultuar me viktima në shkallë të gjerë.
Dokumentet shtetërore dhe dëshmitë e dëshmitarëve gjithashtu i lidhin ‘Frenkijevcit’ me mbulim të krimeve dhe largimin e trupave të viktimave nga Kosova në Serbi, por anëtarët e tij deri më tani nuk janë përballur me gjyq, pasi në shumicën e rasteve ata kanë shkatërruar provat, ndërsa shumica e dëshmitarëve kanë përfunduar të vdekur.
Nuk ka asnjë provë se Saviçiç ishte i përfshirë në ndonjë veprimtari kriminale në Kosovë, Serbi apo Bosnjë, megjithatë.
Kur NATO detyroi forcat ushtarake dhe policore serbe të largoheshin nga Kosova në korrik të vitit 1999, shumica e anëtarëve të njësisë filluan të jetojnë mes kryeqytetit malazez Podgoricë dhe Beogradit, duke përdorur ndikimin e tyre për të fituar pasuri përmes aktiviteteve kriminale.
Në vitin 2001, prokuroria e Malit të Zi e ka akuzuar Saviçiç dhe tre burra të tjerë për vendosjen e një bombe në shtëpinë e një personi të quajtur Dusko Martinoviç në qytetin Berane, i cili vrau gjashtë persona. Dyshohej se Martinoviç i kishte borxh atyre rreth 15,000 euro.
Saviçiç u dënua fillimisht me 20 vjet burg në mungesë në Mal të Zi, por apeli vendosi se nuk kishte prova të mjaftueshme për të provuar se ai ishte përgjegjës për shpërthimin.
Nga viti 2001 deri në lirimin e tij në vitin 2014, policia malazeze e ka gjurmuar atë nga Bosnja në Francë, Spanjë dhe Rusi, por kurrë nuk arriti të arrestojë.
Vitin kur Saviçiç u pastrua nga akuzat, u shfaqën fotografitë e tij në vijën e parë të luftës në Lugansk, pasi ai dhe rreth 50 luftëtarë të tjerë serbë bashkuan aftësitë e tyre të betejës për kryengritjen pro-ruse kundër qeverisë ukrainase, sipas prokurorisë boshnjake.
Ata u dërguan duke përdorur metoda të ngjashme me ato të përdorura në luftën e Bosnjës, kur Serbia mohoi çdo përfshirje të drejtpërdrejtë në luftime dhe këmbënguli se të gjithë shtetasit serbe që morën pjesë në të ishin vullnetarë, siç bëri Rusia në Ukrainë.
Luftëtarët pro-Putin ndjekin shembullin e Millosheviçit
Ideja e formimit të njësive speciale të armatosura që do të mbrojnë interesat e serbëve jashtë vendit, në zonat e ish-Jugosllavisë që ishin tashmë në prag të luftës, erdhi nga presidenti Sllobodan Millosheviç.
Millosheviç tha në mars të vitit 1991: “Qeveria ka detyrë të përgatisë grupe të tjera të cilat do të na ruajnë sigurinë dhe do të na mundësojnë të mbrojmë interesat e republikës sonë, por edhe interesat e serbëve jashtë Serbisë”.
Edhe pse nuk ishte i punësuar zyrtarisht nga sigurimi i shtetit serb, Arkani dhe njerëzit e tij kishin lidhje të afër me lidershipin e Beogradit dhe ekspertët ushtarakë më vonë pohuan shumë nga luftëtarët e tij janë paguar nga shteti dhe janë mbrojtur nga zyrtarët serbë.
Në arenën ndërkombëtare, Millosheviçi nuk donte të pranonte se Serbia ishte duke luajtur një rol aktiv në luftërat në Bosnje dhe Kroaci, por një numër i dëshmitarëve, kryesisht të brendshëm nga njësia e Arkanit, konfirmuan se ata ishin pjesë e sigurimit të shtetit dhe ishin në borderotë e saj.
“Pagat për Beretat [e Kuqe një njësi tjetër e lidhur me sigurimin e shtetit të Serbisë] dhe Tigrat jepeshin në para të thana, në zarfe të veçanta, ndërsa njerëzit e Beretave merrnin dyfishin e Tigrave”, tha një ish-anëtar i Tigrave gjatë gjyqti në Tribunalin e Hagës në vitin 2010.
Anëtarët e njësisë i kanë thënë gjithashtu BIRN se ata ishin të mirë-paguar për punën e tyre.
“Ne kishim uniformat më të mira, armët më të mira dhe paratë më të shumta,” tha një luftëtar.
“Por ne ishim edhe më të efektshëm dhe më të mirë kur është fjala për detyrat më të vështira,” shtoi ai.
Këto aftësi duket se kanë qenë të njohur nga kompania ushtarake private Vagner. Sipas raportimeve të medias, luftëtarët Vagner kanë luajtur një rol të rëndësishëm në betejat e separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.
Fontanka raportuar se Vagner ka rreth 1,000 luftëtarë, të paguar nga 500 deri në 2,000 dollarë në javë në varësi të pozicionit dhe detyrave të tyre.
Vagner megjithatë nuk është i regjistruar zyrtarisht në Rusi ngaqë legjislacioni i vendit i ndalon kompanitë private ushtarake.
Sipas Daily Telegraph, Vagner është regjistruar në Argjentinë, por ka një kamp trajnimi në fshatin rus Molkino – i njëjti fshat ku është një qendër trajnimi për forcat speciale të brigadës 10 të Drejtorisë Qendrore ruse të Inteligjencës, GRU – agjencia më e madhe e vendit për inteligjencën ushtarake të huaj.
Autoritetet ruse nuk kanë pranuar asnjë lidhje me Vagner, edhe pse presidenti Vladimir Putin është raportuar të ketë nderuar disa prej luftëtarëve të tij për aktivitetet e tyre në Ukrainë dhe Siri.
Fontanka ka publikuar fotografitë e vlerësimit në hetimin e saj, të gjitha të nënshkruara nga Putin, kurse burrat që morën medaljet janë konfirmuar si luftëtarë Vagner nga anëtarë të tjerë të njësisë së tyre.
Ashtu si Millosheviç, Putin nuk kishte lidhje të drejtpërdrejtë me forca të tilla private, por sipas Daily Telegraph, ai ka folur publikisht se si kompanitë ushtarake private mund të përdoren nga Kremlini për të kryer operacione të caktuara.
Në vitin 2012, ai bëri thirrje për legalizimin e kompanive të tilla, duke i përshkruar ato si një “mjet për realizimin e interesave kombëtare, pa pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të shtetit”, sipas gazetës britanike.
Luftëtarët e Arkanit rezultuan të mirë jo vetëm për zbatimin e interesave kombëtare në vendet e huaja, por gjithashtu edhe në shmangien ndjekjes penale.
Edhe pse të akuzuar për mizori të shumta të kryera në të gjithë ish-Jugosllavinë, asnjë prej tyre nuk është shpallur fajtor për krime lufte.
Prokuroria ukrainase ka provuar gjithashtu të hetojë disa luftëtarë serbë që besohet të kenë qenë ish-tigra, por rezultati ka qenë i ngjashëm, asnjë prej tyre nuk ka dalë përpara gjykatës.