Rusia për situatën në veriun e Kosovës: ”Big Bang” në zemër të Europës

Situatën kritike në të cilën është veriu i Kosovës, nuk e ka lënë pa komentuar edhe Rusia. Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov e quan një “Big Bang” të madh situatën, dhe për të është gati për të shpërthyer në zemër të Europës. Sipas tij, për këtë e kanë fajin vetë perëndimorët, që nuk zbatojnë marrëveshjet e firmosura.

“Ju i dini se çfarë vendimesh ka marrë presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç. Ushtria është në gatishmëri dhe në kufi. Vendimi do të merret nga presidenti i Serbisë, populli serb dhe serbët që po mbrojnë të drejtat e tyre në veri të krahinës autonome të Kosovës. Më lejoni t’ju kujtoj se për më shumë se një dekadë, BE-ja ka formuluar, si pjesë e ndërmjetësimit të saj ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një ‘asociacion për komunitetin e komunave veriore të Kosovës’, që u jep serbëve të drejtat e gjuhës së tyre amtare, organet e vetëqeverisjes lokale dhe agjencitë vendore të zbatimit të ligjit.

Me këtë u pajtuan edhe shqiptarët e Kosovës. Asgjë nuk është bërë në këto dhjetë vitet e fundit. Asgjë nuk po bëhet. Përafërsisht i njëjti fat si marrëveshjet e Minskut, askush nuk do të bëjë asgjë. Një ‘Big Bang’ i madh po shpërthen në qendër të Europës, pikërisht në vendin ku në vitin 1999 NATO kreu agresion kundër Jugosllavisë duke shkelur çdo parim të imagjinueshëm të Aktit Final të Helsinkit dhe dokumenteve të tjera të OSBE-së.

Situata është alarmante. Perëndimi ka vendosur një kurs për nënshtrimin total të secilit që shpreh disi mendimin e vet. Kjo thekson edhe një herë se ajo që po ndodh sot në botë është e një natyre globale dhe kërkohet një zgjidhje gjeopolitike që do të ofronte siguri të barabartë, të pandashme për të gjitha shtetet”, tha Lavrov.

SHKARKO APP