Salvini kërcënon me zgjedhje të reja aleatin qeverisës 5 Yjet

Pak orë nga aprovimi në Senatin Italian të dekretligjit bis mbi sigurinë e emigracionin, i propozuar nga Ministria e Brendshme Matteo Salvini paralajmëron aleatët e qeverisë, 5 Yjet, se “nëse nuk marrin fund grindjet mes tyre, rruga e vetme janë zgjedhjet.”

“Në një intervistë të dhënë për radio rainews24, Salvini shprehet se “nuk mendon aspak që gjatë muajve të ardhshëm t’i dhurojë italianëve vetëm grindje, polemika e fyerje me aleatët qeverisës 5 Yje. Me TAV, tha ai, kemi humbur një vit kohë, po ashtu me reformën në drejtësi, me ligjin mbi autonominë e provincave. E pra nëse gjithçka mbetet e bllokuar, e nuk ka rrugë tjetër për t’u marr vesh me njëri-tjetrin, atëherë fjala e fundit i mbetet italianëve, pra zgjedhje të reja elektorale.”

“Nuk është e këndshme që çdo ditë të grindesh me aleatin qeverisës, shprehet Salvini. Jam i bindur se mund të bëjmë gjëra të rëndësishme për vendin e nuk dorëzohem”, tha ai.
Një ditë më parë zëvendëskryeministri Salvini u sulmua mediatikisht nga ministri i Ambientit Sergio Costa i zgjedhur nga 5 Yjet, i cili në një intervistë u shpreh se “në Napoli digjen plehrat në rrugë e faji është vetëm i Salvinit”.

Ndërsa për ministrin e Transportit, Danilo Toninelli, po i 5 Yjeve, i cili shumë herë ka dalë kundër vendimeve e propozimeve të bëra nga Ministri Salvini, lideri legist thotë se “nuk është në lartësinë e duhur për të drejtuar infrastrukturën italiane.”
Ndërsa mbi ligjin e ri mbi sigurinë e emigracionin të sapoaprovuar në Senat, Salvini thotë: “Nëse duhet ta përmbledh me një frazë, ky ligj do të thotë më shumë Orjana Fallaci e më pak Carola Rackete. Ligji i ri përmban gjoba të larta për organizata humanitare që shkelin ligjet e dëmime më të rrepta për cilindo që sulmon forcat e rendit e përdor mjete të dhunshme në manifestime”.

Mbi emigracionin Salvini shprehet se objektivi i këtij ligji është “që askush mos të mbërrijë më në Itali pa marrë një leje qëndrimi”.

Burimi: Corriere della Sera

/M.Noka- Koha Jone/

SHKARKO APP