Sela: Mosmiratimi i ligjit për gjuhët në Maqedoni, tradhti ndaj shqiptarëve
SHKUP-Aleanca për Shqiptarët i quan lojëra veprimet e partnerëve të koalicionit lidhur me Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Lideri i kësaj partie, Ziadin Sela thotë se këto dy parti edhe kur ishin në pushtet në vitin 2002-206 nuk kishin votuar këtë ligj të paraparë me Marrëveshjen Kornizë. Sela kujton edhe njëherë se Qeveria aktuale u formua mbi kushtëzimin për miratimin e Ligjit për gjuhët dhe se numrat e këtij subjekti garantuan shumicën në Kuvend.
“Këto lojëra politike të LSDM-së më ngjajnë me kthimin e saj në identitetin e saj dhe burimin e saj. Ky ligj për përdorimin e gjuhëve është dashur të sillet deri në vitin 2004 si pjesë normative e Marrëveshjes Ohrit. Ishte pikërisht LSDM me BDI—në që nuk e sollën këtë ligj aso kohe” – tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Sela shton se në këto raste, partneri shqiptar në koalicion me LSDM-në duhet të shqyrtojë pozicionin e tij në pushtet.
“Kjo është shkelje e marrëveshjes dhe burrat në këto raste dihet se çfarë veprime duhet marrin. Nëse kanë burrëri dhe janë të vendosur në politik-bërje, BDI duhet të ulet dhe ta bisedojë këtë çështje me Zoran Zaevin dhe nëse nuk kalon ligji për gjuhët duhet ta lëshojë Qeverinë”– u shpreh Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
Lëvizja Besa e cila në leximin e parë dhe të dytë votoi për Ligjin për përdorimin e gjuhëve, thekson shqetësimin për dështimin e miratimit tij. Nga ky subjekt ritheksojnë se edhe më tej do ta mbështesin ligjin në fjalë.
“Jemi seriozisht të shqetësuar që shumica nuk arrin ta sjellë ligjin në seancë plenare. Ne e kemi thënë se ky ligj nuk e zyrtarizon shqipen, por vetëm e avancon pak, duke e lënë hapur këtë temë, por sidoqoftë edhe si të tillë ne do ta mbështesim. Ne jemi këtu që të ndihmojmë e jo të bllokojmë”- thuhet nga Levizja Besa.
Nga BDI nuk duan të komentojnë. Deputetët e partisë në pushtet mbeten në qëndrimet e kolegut tyre dhe kryeparlamentarit Talat Xhaferi, duke mos dhënë detaje dhe forma se si do të vepronin nëse edhe më tej ligji do të mbetet i bllokuar në Kuvend. Që nga futja në procedurë parlamentare, ligji për gjuhët nuk ka pësuar asnjë ndryshim, pavarësisht më shumë amendamenteve të propozuara nga subjektet politike.