Serbia i quan 3 policët si ”terroristë shqiptarë”, Petkoviç: Nuk kemi kaluar asnjë cm nga kufiri! Të nisë një hetim ndërkombëtarë
Kreu i të ashtuquajturës “Zyra për Kosovën” në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç është shprehur se Serbia nuk ka kaluar asnjë centimetër nga kufiri i saj, e ndërsa u bën thirrje të huajve që të hapin një hetim ndërkombëtar.
Petkoviç teksa i quan 3 policët “terroristë shqiptarë”, i akuzon se janë pikërisht ata që kanë shkelur marrëveshjen pasi kanë hyrë në territoret e Serbisë dhe për rrjedhojë janë arrestuar.
“Kjo bandë terroriste është arrestuar sot në ora 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore në zonën e fshatit Gnjilicë në komunën e Rashkës. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht këta terroristë shqiptarë, pjesëtarë të policisë së Kosovës. Ne jemi absolutisht të gatshëm të ofrojmë të gjitha provat dhe të bëjmë thirrje që të hapet një hetim ndërkombëtar, nëse është e nevojshme, që edhe amerikanët dhe britanikët të paraqesin imazhet e tyre satelitore në mënyrë që ajo që po themi të shihet qartë, që është se Policia serbe nuk ka kaluar asnjë milimetër vijë administrative. Ministri i tyre i rremë Sveçlja thotë se ata janë rrëmbyer. Çfarë kërkojnë me armë, harta, GPS, thellë në Serbinë qendrore dhe në pyll? Këtë do ta përcaktojë hetimi”, ka thënë ai.