
Mbi njëqind mijë serbë dolën në rrugët e Beogradit të enjten, në mbështetje të lëvizjes protestuese të të rinjve të Serbisë, në atë që ishte tubimi i fundit i fushatës përpara një sfide vendimtare zgjedhore ndaj liderit populist të Ballkanit, Aleksandar Vuçiq. Turmat u derdhën në sheshin qendror të Beogradit nga të gjitha drejtimet, duke mbushur disa blloqe rreth zonës. Grupi i pavarur për monitorimin e turmës, “Arkivi i Tubimeve Publike”, vlerësoi se rreth 150,000 persona ishin të pranishëm në tubim.
Turmat optimiste brohorisnin “fitore” përpara votimit të rëndësishëm të së dielës, i cili vjen pas dy vitesh protestash të udhëhequra nga studentët kundër Vuçiqit. Këto protesta u nxitën nga shembja e një tendë në stacionin hekurudhor të sapo rinovuar të Novi Sadit në vitin 2024, ngjarje që la të vdekur 16 persona. Lëvizja kundër korrupsionit, e udhëhequr nga studentët universitarë, që atëherë është zgjeruar nga kërkesat për një hetim të pavarur mbi incidentin, në thirrje për zgjedhje të parakohshme.
“Lista Studentore”, një lëvizje pa udhëheqës e kandidatëve të mbështetur nga studentët, konsiderohet kërcënimi më i madh për liderin veteran. Mijëra mbështetës të saj u mblodhën në rrugët e Beogradit të enjten. “Erdha për të mbështetur Listën Studentore sepse të rinjtë më dhanë më në fund shpresë se është e mundur të jetosh në një vend normal,” tha 47-vjeçarja Marija Nedeljkovic Radiç për agjencinë franceze të lajmeve AFP, teksa mbërriti në tubimin e studentëve. “Vërtet, për herë të parë në jetën time, besoj se është e mundur,” shtoi ajo. Profesori universitar Jugoslav Gasiç, një nga 250 kandidatët në Listën Studentore, iu drejtua turmës që brohoriste “Fitore, fitore!”, duke thënë: “Ne po i japim fund 14 viteve poshtërimi, kaosi dhe tradhtie, dhe dekadave të vendosjes së interesave personale dhe partiake mbi tuajat. Ju meritoni më mirë, dhe ne dimë si ta ofrojmë. Studentët po fitojnë!”
Vuçiq ka dominuar politikën serbe për më shumë se një dekadë, qoftë si kryeministër apo president i vendit ballkanik. Ndërsa presioni nga protestat u rrit, ai njoftoi zgjedhje të parakohshme muajin e kaluar. Ai ka dhënë dorëheqjen si president, por shumë argumentojnë se kjo është një lëvizje taktike në mënyrë që të mund të kandidojë për kryeministër. Kjo është tani sfida më e madhe elektorale me të cilën është përballur partia e tij, Partia Progresive Serbe (SNS), që kur u zgjodh në pushtet në vitin 2012.
Ndërkohë, lideri ka akuzuar rregullisht lëvizjen studentore se është një grusht shteti i financuar nga jashtë. “Le të mos harrojmë kurrë se si u përpoqën të rrëzonin shtetin tonë. Le ta mbrojmë dhe ta ruajmë gjithmonë atë,” tha Vuçiq në një sallë sportive plot me mbështetës të enjten. “Le të dalim dhe t’i mundim! T’i mundim me vendosmëri!”
Ditë para votimit, shoqëritë civile serbe paralajmëruan se mungonin kushtet për “zgjedhje të lira dhe të ndershme”. “Ky vlerësim nuk bazohet në incidente të izoluara, pretendime të opozitës apo mosmarrëveshje politike me qeverinë,” thuhej në një deklaratë të përbashkët nga 24 organizata, duke argumentuar se mbështetej nga gjetje të dokumentuara. Analistët paralajmërojnë se një rezultat i ngushtë zgjedhor mund të çojë në paqëndrueshmëri pas zgjedhjeve, nëse të dyja palët shpallin fitoren. Vuçiq, i cili kontrollon policinë serbe, ka thënë se do të shtypte çdo trazirë pas votimit.
Ndërsa disa parti të vogla janë gjithashtu në garë për postin e kryeministrit, vëzhguesit thonë se ekziston një atmosferë e ngjashme me një referendum midis Vuçiqit dhe lëvizjes studentore, e cila mund të lërë në hije partitë e tjera në parlamentin me 250 anëtarë.
Marrë nga Deutsche Welle
