Serbia shpall Kosovën “zonë në mbrojtje të posaçme”, pra po shkohet në praglufte

Qeveria serbe miratoi së fundmi një vendim që urdhëron masa dhe reagim nga ministritë, për mbrojtje ligjore dhe socialo-ekonomike të serbëve në Kosovë, por edhe të interesave kombëtare të Serbisë. Kryeministri Millosh Vuçeviç u shpreh se vendimi i ekzekutivit ka të bëjë pikërisht me pikat e veprimit që u prezantuan nga Vuçiç, shkruan A2.

Këto masa, përfshijnë kthimin e gjendjes para vendimeve të njëanshme të Qeverisë së Kosovës, shpalljen e Kosovës si “zonë nën mbrojtje të posaçme sociale”, përforcimin e mëtejmë i institucioneve serbe në Kosovë dhe që të mos lejohet mbyllja e tyre.

Sipas Vuçeviç kërkesa do t’i dërgohet Kuvendit serb për të shpallur të paligjshme të gjitha veprimet që janë në kundërshtim me marrëveshjet ndërmjet palëve negociuese, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.

Kjo do të sjellë luftë, pasi Kosova është shtet i pavarur, ndërkohë që me këto masa Serbia e quan akoma pjesë të Serbisë! E gjithë loja serbe shkon drejt asaj që të aneksojë Mitrovicën siç po bën Rusia me Krimenë dhe Ukrainën.

Në një postim në rrjetin Facebook, Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla tha se presidenti serb tregoi se nuk ka ndër mend të ndalë instrumentalizimin e serbëve të Kosovës dhe të interesave të tyre, duke i shfrytëzuar për politikë ditore dhe përfitime financiare. Zonja Gërvalla theksoi se ishte presidenti serb ai që kishte urdhëruar largimin e tyre nga vendet e punës dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

“Duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë, nuk mund të luajnë tashmë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, po kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve”, shkruante mes tjerash Ministrja Gërvalla.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, shkruante të shtunën se për situatën e rënduar në veri të Kosovës, përgjegjësi kryesor është presidenti serb, që ka sabotuar çdo nismë për vendosjen e normalitetit dhe integrimin e serbëve në institucionet e vendit.

Kërkesat e tij “janë veç vazhdimësi e luftës së tij kundër Kosovës”, shkruante zoti Haradinaj, duke nënvizuar ndërkaq se terrenin për këto veprime anti-Kosovë të Serbisë, të mbështetura edhe nga disa qarqe ndërkombëtare, e ka krijuar politika shkurtpamëse e qeverisë së Kryeministrit Albin Kurti. Ajo ka bërë që politika fashiste e Serbisë ndaj Kosovës, të mos duket edhe aq e keqe, shtonte ai më tej.

Serbia thotë se synimi i saj është integrimi në Bashkimin Evropian, por ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën, të cilat mbështesin pretendimet e saj mbin Kosovën, që shpalli pavarësinë në vitin 2008 me mbështetjen e Perëndimit.

SHKARKO APP