Shesheli djeg flamurin e BE-së dhe atë të NATO-s
Ditën e enjte Shesheli i vuri flakën flamujve pasi Gjykata Speciale shtyu seancën dëgjimore për ekstradimin e tij në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, në Hagë për të qenë i pranishëm në marrjen e vendimit në gjyqin e tij për krime lufte më 31 mars.
Lideri i Partisë Radikale Serbe, i shoqëruar nga disa dhjetëra përkrahës dhe anëtarë të partisë, tha se ai nuk mund të pres të caktohet seanca tjetër dëgjimore “që t’u shpjegoj atyre arsyet ligjore pse s’mund të ekstradohem në Gjykatën e Hagës”,- tha Shesheli.
Ai u përpoq gjithashtu të hynte në gjykatë, por nuk u lejua ta bënte këtë duke qenë se seanca dëgjimore u shty.
Gjykata e Lartë e Beogradit, e cila ndihmon në procesin e ekstradimit sipas Ligjit të Serbisë për Bashkëpunimin me ICTY-në, tha të mërkurën se seanca është shtyrë për shkaqe procedurale.
Para se të mësonte se seanca dëgjimore ishte shtyrë, Shesheli ritheksoi edhe njëherë se ai nuk do të kthehej me dëshirë në Hagë.
“Ata do të duhet të më çojnë vetë atje”,- tha ai.
Ai u lejua të rikthehej në Beograd në nëntor të vitit 2014, pasi u lirua përkohësisht nga Gjykata e Hagës për arsye humanitare për t’iu nënshtruar trajtimit nga kanceri.
Pas disa vonesash kontroversiale, vendimi në çështjen kundër tij është caktuar të merret më 31 mars dhe Gjykata e OKB-së i ka kërkuar atij të kthehet në paraburgim në Hagë.
Shesheli ka refuzuar të kthehet vullnetarisht, por autoritetet serbe nuk e kanë arrestuar atë, duke cituar si arsye gjendjen e tij të dobët shëndetësore.
Ministri i Drejtësisë në Serbi, Nikola Selakoviç, tha se ai nuk e di nëse Shesheli do të kthehet në ICTY deri më 31 mars.
“Kjo çështje është në duart e gjykatës së Beogradit dhe në do të shohim se çfarë do të ndodhë më pas”,- tha të mërkurën Selakoviç.
Gjatë protestës së ditës së enjte, Shesheli tha gjithashtu se partia e tij do të bëjë gjithçka që është e mundur që anëtarët e saj, Vjerica Radeta, Jovo Ostojiç dhe Petar Joviç, të dyshuar se kanë kërcënuar dëshmitarë në gjyqin e tij, të mos dërgohen në Gjykatën e Hagës për t’u përballur me akuza për mospërfillje.
Sheshli po gjykohet për krime lufte në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Serbi./BIRN/