Shkupi reagon ndaj Moskës

Ministria e Jashtme e Maqedonisë ka reaguar të martën pas një shkrese të diplomacisë ruse në lidhje me votimin në parlament para pak ditësh të procedurave për ndryshimet kushtetuese.

Shkupi thekson se reagimi rus ishte i pabazë dhe joreal ndërsa bëhej me qëllim të rrezikimit të procesit politik me domethënie historike për Maqedoninë.

“Deputetët në parlamentin e Maqedonisë me respekt të plotë të të gjitha parimeve demokratike dhe të procedurës së parashikuar parlamentare sollën vendimin që pasqyron angazhimet me dekada të Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si përparësi strategjike, për çfarë ekziston një konsensus i gjerë që njihet shumë mirë nga miqtë tanë rusë”, thuhet në reagim.

Ministria maqedonase thekson qëndrimin me përkushtim ndaj integrimeve euro-atlantike të Maqedonisë, ndërsa nënvizon edhe angazhimet për zhvillimin e miqësisë në të ardhmen me Federatën ruse:

“Në bazë të miqësisë tradicionale të dy popujve tanë dhe respektin e ndërsjellë si dhe për vlerësimin për zgjedhjen e pavarur dhe të lirë të së ardhmes sonë”.

Ministria e Jashtme e Rusisë shkruante se votimi i së premtes në parlamentin e Maqedonisë ishte rezultat i kërcënimeve, shantazhit dhe blerjes së votave.

Rusia nuk dëshiron integrimin e Maqedonisë në NATO ndërsa gjatë muajve të fundit përfaqësues të qeverisë ruse kanë qenë mjaft aktivë në përpjekjet për të penguar proceset, siç ishte referendumi i 30 shtatorit lidhur me ndryshimin e emrit të Maqedonisë.

Një parti, për momentin e parëndësishme maqedonase, e quajtur Maqedonia e Bashkuar, që ngjason me partinë e Presidentit Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, haptazi paraqet qëndrimet pro-ruse dhe përmes protestave është përpjekur ta kundërshtojë referendumin dhe votimin e ndryshimit të emrit të Maqedonisë.

Autoritetet maqedonase kanë reaguar me maturi ndaj paraqitjeve e herë-herë edhe kërcënimeve nga Moska mbi zhvillimet në Shkup. Komuniteti ndërkombëtar, sidomos Amerika, ka dëshmuar mbështetjen ndaj Maqedonisë në rrugën e integrimeve të saj, ndërsa Sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis gjatë vizitës së para disa javëve në Shkup vuri në dukje shqetësimet për përzierjen ruse në proceset demokratike në Maqedoni.

Parlamenti i Maqedonisë e kaloi përmes shumë vështirësishë propozimin për ndryshimin e emrit të vendit në Repubika e Maqedonisë së Veriut, që paraqet kushtin kryesor nga NATO dhe BE për afrimin dhe për anëtarësimin e këtij shteti në këto organizata.

Pas arritjes së dy të tretave të votave për propozimin, pritshmëritë janë që ligjëvënsit në Shkup do të kenë shumicën e kualifikuar edhe gjatë votimit të ndryshimeve kushtetuese, që pritet në muajin janar ose edhe më herët.

SHKARKO APP