Si e zhduku Wikipedia kroate një kamp përqendrimi
Ndryshe nga Wikipedia në gjuhët e tjera, versioni në gjuhën kroate i referohet kapit të përqendrimit të Jasenovacit të kohës së Luftës së Dytë Botërore si “kamp grumbullimi” – si edhe minimizon krimet fashiste dhe shpërfill polemikat e krahut të djathtë.
Me ndjenjat e saj nacionaliste, gabimet faktike, mungesën e referencave akademike dhe faktet e lëna pas historisë së Luftës së Dytë Botërore, Wikipedia kroate nuk është një burim i besueshëm, thanë analistët për BIRN.
Artikujt që i referohen lëvizjes fashiste ustashe kroate të Luftës së Dytë Botërore dhe krimeve të saj kritikohen sidomos si të pabesueshëm, të ngarkuar ideologjikisht dhe të pasaktë, duke minimizuar kështu krimet.
Shembulli më i qartë i kësaj është kampi më i madh i përqendrimit i ustashëve, Jasenovaci, i cili në titullin e artikullit të Wikipedias kroate referohet si “Kampi i Grumbullimit Jasenovac” – një term që nuk ka konotacione negative si “kampi i përqendrimit”.
Sipas Qendrës Përkujtimore të Memorialit, ustashët vranë më shumë se 83,000 serbë, hebrenj, romë dhe antifashistë në kamp midis viteve 1941 dhe 1945.
Kampi përdorej si një kamp përqendrimi dhe si kamp pune – në aspektin e punës që përdoret për të dobësuar fizikisht të burgosurit, duke shkaktuar vdekjen e tyre – dhe një kamp vdekjeje, pasi shumë të arrestuar u ekzekutuan në vende të ndryshme në sistemin e kampit menjëherë ose pak kohë pas mbërritjes së tyre.
E djathta kroate shpesh i referohet Jasenovacit si një kamp “grumbullimi”, “pune” ose “ndëshkimi”.
Faqet e Wikimedias në gjuhë të tjera – anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht dhe rusisht – i referohen Jasenovacit si një kamp përqendrimi ose shfarosjeje në titujt e tyre.
Por në Wikipedian kroate, madje edhe kampi më i madh nazist, Aushvici, përmendet në titullin e hyrjes si “Kampi i Grumbullimit Aushvic”.
Hrvoje Klasiç, një historian në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Zagreb, tha për BIRN se “ekziston një ndryshim i madh” midis Wikipedias në gjuhën angleze dhe asaj në gjuhën kroate.
Ai shpjegoi se si ndonjëherë ai u thotë studentëve të tij të shohin diçka në Wikipedian në gjuhën angleze nëse artikulli ka shumë referenca akademike dhe shkencore.
“Megjithatë, s’do t’ua sugjeroja kurrë Wikipedian kroate studentëve të mi nëse ata duan të mësojnë diçka në lidhje me historinë kroate. Unë e pashë vetë që një sërë artikujsh dhe temash janë trajtuar në mënyrë krejtësisht revizioniste, me shumë nacionalizëm të theksuar dhe di të guxoja të thosha me ndjenjë pro-ustashe,” tha Klasiç, duke përmendur materialet për Luftën e Dytë Botërore, Jugosllavinë socialiste dhe luftën e Kroacisë në vitet 1990.
Ndërkohë artikulli për kampin e Jasenovacit në gjuhën angleze ka 187 shënime reference, së bashku me 37 referenca për libra dhe dy për artikuj akademikë, versioni kroat ka 57 shënime reference – me një numër të madh që vjen nga mediat e djathta dhe bloget private – dhe vetëm tre libra.
Klasiç tha se edhe pse Jasenovaci ishte pjesërisht një kamp pune, t’i referohesh atij vetëm si një i tillë është gabim.
“Është e njëjta gjë sikur unë të shkruaj një libër për Rajhun e Tretë dhe thjeshtë të citoj se gjatë kohës së tij, punësimi dhe prodhimi industrial u rritën duke thënë se standardi i jetesës së qytetarëve u përmirësua. Kjo është e gjitha korrekte, nëse përjashtoni gjithçka që u ndodhi të gjithë të tjerëve që nuk shiheshin si pjesë të kombit gjerman,” tha ai.
Ai tha gjithashtu se duke iu referuar Jasenovacit thjesht si një kamp grumbullimi dhe pune duhet të përdoret “e njëjta gjuhë” si propaganda ustashe, e cila nuk i përmendi publikisht vrasjet në kamp. E gjithë kjo minimizon krimet e kryera atje, tha Klasiç.
BIRN u kërkoi administratorëve të Wikipedias kroate për një koment, por nuk mori asnjë përgjigje.
Në sektorin e bisedimeve tek artikulli mbi Jasenovacin, ku lexuesit mund të vendosin pyetje për administratorët, ata u pyetën për përdorimin e termit “kamp grumbullimi” në vitin 2012.
Një administrator duke përdorur pseudonimin SpeedyGonsales u përgjigj se kampi zyrtarisht u quajt Kampi i Grumbullimit Jasenovac nga ustashët dhe se përshkrimi “kamp përqendrimi” ishte thjesht një “kolokualizëm”.
“Pa një shpjegim të vlefshëm, unë nuk shoh një arsye për të bërë dhunë faktike dhe linguistike ndaj artikullit për të mirën e kolokualizmit. Wikipedia është një enciklopedi, le të respektojmë parimet e një enciklopedie,” tha SpeedyGonsales.
Goran Hutineç, një historian në Fakultetin e Shkencave Humane dhe Sociale në Zagreb, tha se problemi qëndron në faktin se emri zyrtar për Jasenovacin “nuk e përshkruan vërtet funksionin e kampit”.
“Duket sikur dikush nuk është i vetëdijshëm se termi i përdorur atëherë (kamp grumbullimi) mund të mos ketë të njëjtin kuptim tani. Dua të them se pjesërisht e kishte atë funksion, por qartësisht jo vetëm atë funksion,” tha Hutineç për BIRN.
Ai tha se Jasenovaci ishte përdorur për internimin e përkohshëm të të burgosurve politikë – si politikani kroat Vlatko Macek, i cili kaloi pesë muaj në Jasenovac para se të lirohej – si edhe një vend për ekzekutimin e njerëzve “të cilët as nuk futeshin në kamp menjëherë pasi mbërrinin aty, por transportoheshin shpesh në vendet e ekzekutimeve aty pranë”.
Hutineç tha se edhe Aushvici kishte “dhjetë qëllime të ndryshme për të cilat ai përdorej” – si një kamp vdekje dhe pune, ndër qëllimet e tjera. Ai shtoi se e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Jasenovacin dhe kampet e tjera të kohës së Luftës së Dytë Botërore të drejtuar nga ustashët.
Ai më tej argumentoi se Wikipedia kroate ka “shumë mangësi, gabime faktike dhe gjuhë të ngarkuar ideologjikisht” në krahasim me versionet në anglisht dhe gjermanisht.
Materiali mbi Jasemovacin në Wikipedian kroate ka pjesë të tjera akoma më të diskutueshme.
Pothuajse 40 për qind e materialit mbi Jasenovacin jepet mbi pretendimet se lista e emrave të viktimave të kampit – e përpiluar nga Qendra Përkujtimore e Jasenovacit – është e rreme.
Ajo thekson pretendimet se janë bërë manipulime me numrin e personave të vrarë dhe gjithashtu flet për një kamp komunist të pas Luftës së Dytë Botërore në të njëjtin vend, edhe nuk ka prova të vlefshme historike se ai ka ekzistuar ndonjëherë.
Në këta paragrafë, Wikipedia kroate përqendrohet kryesisht te një OJQ shumë e diskutueshme me bazë në Zagreb, e quajtur Shoqata për Hulumtime të Kampit të Trefishtë të Jasenovacit. OJQ-ja kryesisht përfshin njerëz që nuk janë historianë profesionistë, të cilët vlerësojnë se numri i viktimave shkonte deri në 1,500 – qartësisht shumë më i ulët se ai i çdo historiani tjetër.
Në materialin mbi Jasenovacin, Wikipedia kroate e quan Igor Vukiçin, sekretarin e Shoqërisë, një gazetar profesionist, të njëjtat merita si historianë profesionalë.
Versioni në anglisht përmend mosmarrëveshjet rreth numrit të vdekjeve të kampit, duke ofruar shifra që janë ofruar nga shumë historianë, demografë dhe të tjerë, por nuk thotë se shifrat e tanishme janë manipuluar, as nuk përmend kampin e dyshuar komunist të kohës së pasluftës që pretendohet nga Shoqëria se ka ekzistuar.
Në vend të kësaj, versioni në anglisht i jep shumë hapësirë përshkrimit të kushteve të jetesës në kamp, vrasjeve masive të kryera atje dhe se sa njerëz që vinin në Jasenovac ishin “planifikuar për shfarosje sistematike”.
Duke përshkruar kushtet, krimet dhe vrasjet në kamp, Wikipedia kroate jep një citim nga një ish i burgosur dhe një fjali shtesë.
Ndryshimi i dallueshëm që tregon Wikipedia kroate kur mbulon të kaluarën ustashe mund të shihet në artikujt mbi liderin e lëvizjes, Ante Paveliç.
“Ante Pavelicç ishte një gjeneral fashist kroat dhe diktator ushtarak që themeloi dhe drejtoi organizatën ultranacionaliste fashiste të njohur si ustashët në vitin 1929 dhe drejtoi Shtetin e Pavarur të Kroacisë, një shtet fashist nazist të ndërtuar në Jugosllavi nga autoritetet e Gjermanisë naziste dhe Istalisë fashiste,” thuhet në fjalinë e parë të artikullit në anglisht.
Ai përmend krime në shkallë të gjerë kundër serbëve, hebrenjve, romëve dhe antifashistëve në fjalinë e dytë.
Wikipedia kroate e përshkruan Paveliçin si “një politikan kroat, avokat, udhëheqës dhe themelues i regjimit ustash dhe poglavnik (kreun) e Shtetit të Pavarur të Kroacisë”.
Versioni në anglisht i jep disa herë më shumë hapësirë krimeve të regjimit të Paveliçit dhe natyrës së tij diktatoriale.
Po ashtu në lidhje me temën e ustashëve, në artikullin e saj mbi regjisorin kroat Jakov Sedlar, Wikipedia kroate nuk përmend të gjitha polemikat që shkaktoi dokumentari i tij për kampin “Jasenovaci – E Vërteta”.
Dokumentari i cili e pati premierën e tij në Zagreb në prill të vitit 2016, është kritikuar ashpër për minimizimin e krimeve të kryera në kamp.
Ndërkohë që artikulli në Wikipedian kroate nuk e përmend aspak këtë çështje, versioni në gjuhën angleze ka një sektor të tërë të titulluar “Kontradiktat”, si dhe një artikull krejtësisht më vete mbi dokumentarin, duke përmendur të gjitha faktet e pretenduara që Sedlari përdori e që janë të diskutueshme.
Wikipedia kroate gjithashtu nuk shqyrton disa figura të tjera të diskutueshme publike.
Në artikullin e saj për ish-ministrin e kulturës Zlatko Hasanbegoviç, Wikipedia kroate nuk përfshin aspak zbulimin e gazetës së përjavshme Novostise ai shkroi një artikull për një buletin pro-fashist të titulluar Shteti i Pavarur i Kroacisë në vitin 1996, në të cilin ai i përshkroi ustashët si “heronj dhe martirë” . Wikipedia në gjuhën angleze e përmend atë dhe ofron linke të tjera.
Shifrat publike në të majtë vihen më në shqyrtim nga Wikipedia kroate.
Në artikullin mbi “Ekstremizmin e majtë në Kroaci”, aktivistja veterane Vesna Terseliç, lideri serb i Kroacisë Milorad Pupovac dhe disa organizata antifashiste përmenden si përkrahës të ekstremizmit që pengojnë përpjekjet për të trajtuar krimet e kohës së komunizmit.
Ndonjëherë disa kontribuues në Wikipedian kroate kanë shkuar shumë larg dhe administratorët – të cilët miratojnë të gjithë artikujt – është dashur të ndërhyjnë dhe të bëjnë ndryshime.
Kur Predrag Luciç, një gazetar, redaktor, shkrimtar dhe një nga themeluesit e gazetës legjendare anti-establishment Feral Tribune vdiq në janar, artikulli fillestar që ofroi Wikipedia kroate ishte një përshkrim disi fyes i arritjeve të tij.
“Duke tallur njerëz me pozicione të ndryshme politike, ai ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm midis jugo-nostalgjikëve, admiruesve të komunizmit dhe kundërshtarëve të Kroacisë së pavarur. Nuk ka një copëz serioaze gazetareskte nga Luciç që një kritik kulturor do t’i jepte një notë kaluese,” thuhej në të.
Reporter.al