Si janë shqiptarët sot në rajon? Siç i do armiku

Nga Lavdrim Lita
Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia janë në zierje tensionesh politike. Perspektiva e antarësimit në BE po fiket dita ditës. Kriza politike në Shqipëri dhe Maqedoni ka kapur përmasa të frikshme për kancelaritë ndërkombëtare, por hiç nuk iu duket ashtu shqiptarëve të mësuar në dy dekada me kriza. Nuk janë kriza artificiale dhe as qesharake, siç mundohen të thotë haremi mediatik i liderëve të vendeve me shumicë shqiptare. Këto kriza janë sinjalizuese të një ngjarje që po vjen.
Në Maqedoni, në 27 prill kriza politike festoi  zyrtarisht 3 vjetorin. Zgjedhjet e njëkohësishme parlamentare dhe presidenciale të tre viteve më parë prodhuan një krizë përmanente në Maqedoni, ku shqiptarët u prekën në ekonomi dhe në shtëpi, aq sa ndryshoi edhe ballancat politike në zgjedhjet e fundit, ku lëvizja e re politike Besa, iu afrua shumë BDI-së. Zgjedhja e Talat Xhaferit si kryeparlamentar i Maqedonisë është ndoshta lajmi më i mirë në dhjetë vitet e fundit për shqiptarët. Z. Xhaferi përfaqëson urtësinë dhe qëndresën aktive në karakterin e tij politik. Perspektiva europiane në Shkup është një fjalë e huaj.
Në Shqipëri, kriza politike dhe ekonomike është ulur këmbë kryq. Opozita e bashkuar rreth Partisë Demokratike po kërkojnë një qeveri teknike për të shkuar në zgjedhje. Frika e përsëritjes së blerjes së votës në Dibër, Kolonjë e gjetkë, me paratë e trafiqeve të paligjshme të Kanabisit, e kanë kthyer Partinë demokratike në një rrugë. Parlamenti, në pritje të votimit të anëtarëve të komisionit ad hoc të Vlerësimit të prokurorëve dhe gjykatësve (vetting), është kthyer në një oaz qetësie për maxhorancën, ku mes të tjerash zgjedhja e presidentit të Republikës është kthyer në një pazar. Edhe tregu ekonomik është trukuar nga mbi prodhimi i kanabisit. Perspektiva europiane është në dorë të politikës që luan kukamfshehti me reformat.  
Në Kosovë, kualicioni i madh PDK-LDK ka humbur ritmin e reformave. Kryeministri Isa Mustafa me karakterin e tij flegmatik po infekton shoqërinë kosovare me përgjumje. Liberalizimi i vizave dhe lëvizja e lirë në zonën Shengen është peng i ligjit të përcaktimit të kufirit me Malin e Zi. Frustrimit e gjendjes e dëften më së mirë një sëri postimesh në rrjetet sociale të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kundër zyrtarëve të Brukselit.  Presidenti Thaçi e ka personale çështjen e liberalizimi të vizave sepse e ka premtuar dhe paralajmëruar disa herë. Lajmi i mirë në vitet e fundit është lirimi nga burgjet e Europës së Ramush Haradinajt, i cili luftoi me serbët e Millosheviç me rregullat e shekullit të XV dhe kërkojnë ta gjykojnë me ligjet e shekullit të XXI.   
Në Mal të Zi, shqiptarët i qëndruan besnik perëndimit duke mbështetur antarësimin e vendit në NATO.  Është shumë e qartë që rusët po përpiqen të shtrijnë ndikimin e tyre negativ në rajon. Përpjekja për grusht shteti, me planin për të vrarë në prag të zgjedhjeve kryministrin Gjykanoviç, në Malin e Zi është një shembull i qartë. Në mbledhjen e fundit të ministrave të Jashtëm të NATO-s duket se është vendosur që Aleanca është e gatshme për të ndërhyrë në Ballkan, edhe në menyrë operative për të parandaluar konfliktin ndëretnike dhe promovimin e sigurisë dhe stabilitetit.  Lajmi i mirë në vitet e fundit për shqiptarët është votimi historik në parlamentin malazias për shpalljen e Tuzit, komunë me të drejta të plota. Tuzi varej nga Bashkia e Podgoricës dhe, prej më shumë se një çerekshekulli, popullsia shqiptare dhe faktori politik shqiptar në Mal të Zi kërkonin që të ishin një komunë më vete me të drejta të plota. Tashmë pas Ulqinit, Tuzi është komuna e dytë me shumicë shqiptare në territorin e Malit të Zi.
 Sido që të jetë: emëruesi i përbashkët i shqiptarëve në rajon është fjala “krizë”. E thënë me një batutë të Gjergj fishtës tek vepra Gomari i Babatasit, ku Skëndërbeu pyet djallin si janë shqiptarët? Siç i do armiku, i përgjigjet djalli.  Zgjidhja e krizave të ndryshme në shoqërinë shqiptare është ndryshimi i modelit politik, ekonomik dhe mediatik. Modeli që ndjekim në sistemin e drejtësisë, në sistemin e politikës në të bërit biznes apo media nuk është një model as europian dhe as perendimor, përkundrazi.   #ZëriIntegrimit

SHKARKO APP