“Spitali i kockave”, përndjek ende të burgosurit e tij
Shkatërrimi i një monumenti në nder të boshnjakëve të burgosur në kampin e përqendrimit në spitalin Kostana në Stolac gjatë kohës së luftës, solli në mendje kujtime të trishtueshme të torturave që ata duruan. Mustafa Dizdar, 69-vjeç, mund të flasë për këtë vetëm nëse merr më parë qetësues. Sytë e të moshuarit fillojnë të mbushen me lot ndërsa tregon me gisht nga ndërtesa e bardhë pas pemëve në oborrin qendror të spitalit Kostana në vendlindjen e tij Stolac.
“Ata vendosnin muzikë me zë shumë të lartë që britmat që vinin që atje të mos dëgjoheshin,” thotë ai ndërsa ecën ngadalë në kompleksin që dikur ishte një spital i specializuar në trajtimin e problemeve të kockave i shndërruar më pas në një kamp përqendrimi. “As një dyqan kasapi nuk prodhon aq gjak sa është derdhur në këtë vend,” thotë ai ndërsa hyn në ndërtesën e rrënuar dhe drejton drejt qelive të vogla në bodrum ku mbaheshin të burgosurit, “që jetonin si urithë”.
Një monument i vogël prej guri të bardhë me mbishkrimin “Mos harroni” në oborrin e spitalit dikur nderonte viktimat e Kostanës, por një mëngjes më herët këtë muaj, vendasit zbuluan se monumenti mungonte. Nacionalistët e kishin hequr me sa duket gjatë natës. Kostana ishte pjesë e një rrjeti qendrash paraburgimi të ngritura dhe të drejtuara nga Këshilli Kroat i Mbrojtjes, HVO, në vitin 1993, kur boshnjakët u urdhëruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe t’i lini çelësat nëpër dyer. Ata u rrethuan, burrat u ndanë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit dhe u dërguan nëpër kampe, ndërsa të tjerët u çuan në veri të vendit. Xhamia e Sulltan Selimit e Stoalicit dhe monumentet myslimane u shkatërruan në një përpjekje për të shkatërruar provat që ata kishin jetuar ndonjëherë aty.
Ajo që ndodhi në atë periudhë në jug të vendit u diskutua përfundimisht nga gjykata e OKB-së për krimet e luftës në Hagë. Në vitin 2013, gjykatësit e Gjykatës së Hagës dënuan gjashtë zyrtarë të lartë kroatë të Bosnjës me një total prej më shumë se 100 vitesh burg për pjesëmarrje në një “sipërmarrje të përbashkët kriminale” që synonte largimin me forcë të boshnjakëve nga territoret nën kontrollin e tyre, në përpjekje për të krijuar një “Kroaci të madhe”.
Vendimi përmend ish-presidentin kroat Franjo Tuxhman dhe disa zyrtarë të tjerë të Zagrebit si anëtarë të sipërmarrjes së përbashkët kriminale. Në seancat e apelit që filluan në mars të këtij viti, avokatët mbrojtës për të gjashtë burrat u përqendruan të përpiqeshin të bindnin gjyqtarët se Kroacia nuk kishte të bënte me krimet e tyre. Vendimi pritet të merret muajin që vjen. Dizdari spekulon se kjo mund të jetë e vetmja arsye pse monumenti që ishte në oborrin e spitalit Kostana për të nderuar viktimat ishte hequr nga nacionalistët më herët këtë muaj. “Ata po përpiqen të fshehin të vërtetën, por të gjithë ne këtu e dimë se çfarë ndodhi,” tha Dizdari ndërsa rrinte në vendin ku ndodhej më parë monumenti. “Jo, ata s’mund ta fshijnë këtë nga historia,” tha ai dhe pa përsëri nga ndërtesa. “Muret ishin të mbuluar me gjak,” tha ai. “Këto mure – kështu janë shpirtrat e tyre.” Pas Kostanës, ai u çua në një tjetër kamp përqendrimi të quajtur Dretelj.
“Në Dretelj kisha një trajtim disi special. Më rrihnin tri herë në ditë dhe më jepnin për një ngrënë një vakt të vogël ushqimi”, tha ai. Ai u detyrua gjithashtu të këndonte këngë për Ante Pavelviç, një lider i regjimit pro-nazist të Kroacisë gjatë kohës së Luftës së Dytë Botërore, tha ai. Ai i leu plagët e tij me urinë për t’i shëruar. Me qindra boshnjakë nga Stolaci kaluan në Kostana, por qëndruan vetëm disa ditë këtu para se të çoheshin nëpër kampe të tjera, nëse mbijetonin. Atë gusht të nxehtë të vitit 1993, kur ushtarët po rrethonin njerëzit, Amer Djuliç ktheu kokën dhe pa shtëpinë e tij për herë të fundit. Ai ishte 17-vjeç dhe sapo kishte mbaruar vitin e tretë të gjimnazit. Ai mendoi se për shkak të moshës, ai do të lejohej të largohej drejt territorit të kontrolluar nga Ushtria Boshnjake me nënën e tij, gjyshen dhe gjyshin, ku ata do të ishin të sigurt, por ushtarët kroatë vendosën ta merrnin ata. “Supozohej të isha duke dëgjuar muzikë, të dilja me vajza dhe të argëtohesha. Por në këtë moshë po mendoja nëse do të mbetesha gjallë, nëse do të kisha mjaftueshëm për të ngrënë”,-tha Djuliç për BIRN.
Nëna e tij qau, iu përgjërua ushtarëve ta linin të shkonte, por pa sukses. Ai u desh t’i bashkohej vargut të burrave. “Atje ishin rreth 10 të mitur. Ndërsa ta ishin edhe kushërinjtë e mi Emiri, Saneli, Elviri, Azeri, Ibrahimi… Ne ishim midis 15 dhe 17 vjeç,” kujton ai. “Doja të qaja, por nuk mundja,” shtoi ai
Ditë e natë, britmat jehonin në të gjithë ndërtesën. I pari që vdiq ishte një burrë në të gjashtëdhjetat e tij, Vejsil Djuliç. “Ata e morën në pyetje për një kohë të gjatë, pas të cilës ai u pengua dhe ra në dhomë. ‘Fqinjët e mi po më rrahin,’ tha ai. Pastaj iu kthye një të burgosuri tjetër, Salkos, dhe tha: ‘Unë po… Unë po…,’ dhe vdiq,” kujton Djuliç. Ndërkohë, Salem Djuliç, i cili ishte rrahur tashmë, po çohej për një tjetër seancë. Brenda një ore, ushtarët i kërkuan dy të burgosurve ta merrnin atë përsëri poshtë. “Kuptuam që ai nuk dëgjonte asgjë. Ai thjesht arriti të shtrihej pranë Vejsilit dhe thjesht e la shpirtin e tij të largohej ngadalë,” tha Djuliç. Pastaj një burrë që e njihnim nga qyteti erdhi në dhomë, ai kishte vënë një kapele të zezë me një “U” të madhe në të – “U” për ushtashët, trupat nacionaliste kroate gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ai filloi të më qëllonte dhe akuzonte mua dhe të tjerë se kishim vrarë dikë në vitin 1992. Ai më pas vazhdoi të godiste një burrë tjetër që kishte probleme me zemrën, Salko Kaplan, i cili vdiq disa ditë më pas,” tha Djuliç. “Doja ta kapja dhe ta mbështesja pas murit, por nuk mundesha. Të duket sikur i ke duart e lidhura,” shtoi ai. Djuliç u zgjodh, bashkë me disa të tjerë, për të varrosur të vdekurit. “I vendosëm pranë njëri-tjetrit dhe u hodhëm dhe sipër. Ishte një ndjesi e çuditshme, të varrosje dikë me të cilin kishe biseduar vetëm një orë më parë,” risjell në mendje ai. Djuliç mendoi se pas vdekjes së dy burrave, rrahjet do të merrnin fund. Por atëherë erdhën netët më të këqija. U thirr emri i tij. “Në dhomë pas shumë nga fqinjët e mi kroatë. Ata më pyetën si e kisha emrin dhe unë u përgjigja, duke pyetur veten se pse po më pyesnin kur ata më njihnin të gjithë?” tha Djuliç. “Ku janë bombat që të dha ushtria?’ pyetën ata. Unë qesha duke pyetur se për çfarë po flisnin. Ata vazhdonin të më akuzonin se i kisha qëlluar,” kujton ai.Ata e urdhëruan të rrinte para një dollapi në dhomë.
“Ti i dogje shtëpitë tona?” pyetën ushtarët. “Jo, e bëri Ushtria Popullore Jugosllave, ju e dini këtë!” u përgjigj ai. “Gënjen!” bërtitën ata. “Përplase kokën pas dollapit!” Djuliçi duhet ta bënte. Ushtarët e urdhëruan ta bënte përsëri këtë gjë, çdo herë e më fortë, derisa dera e dollapit ra. Më pas atë e urdhëruan të rrinte pas murit dhe të hapte duart dhe këmbët. Ai duhej të pozicionohej për rrahjet që do të duronte.”Them se qëndrova nja pesë minuta atje duke menduar se do ta duroja. Por ata vazhduan të më godisnin duke më kërkuar të rrëfehesha. Nuk do të pranoja diçka që s’e kisha bërë. Ishte një inkuizicion.” Djuliç ra disa herë përtokë, por u urdhërua të ngrihej përsëri në këmbë. Kur u shtri sikur humbi ndjenjat, ata i hodhën ujë në kokë dhe nisën çdo gjë nga e para. Ai tha se kjo vazhdoi për rreth një orë, derisa një ushtar që s’e kishte parë kurrë më parë hyri në dhomë dhe i bërtiti dhe i qortoi të tjerët “që rrihnin fëmijë” dhe e shpëtoi Djuliçin nga rrahet e ish-fqinjëve të tij.
“Ai më kapi prej dore dhe u larguam nga dhoma,” kujton Djuliç. “Nuk e di nëse ai më shpëtoi jetën atë natë apo jo. Nuk ia di emrin.” Një 16-vjeçar që u ndalua bashkë me Djuliçin më pas u kujdes për plagët e tij. Të nesërmen në mëngjes ushtarët e zgjuan Djuliçin dhe të burgosurit e tjerë, duke u thënë se do t’i çonin diku tjetër. “Stolaci po ‘spastrohej’ dhe do të vinte mish i ri,” tha Djuliçi. Ai u përpoq shpesh të hynte në mendjet e atyre që rrihnin njerëzit atje. Ai e gjeti një përgjigje. Lufta u jep njerëzve të lloj lirie të re. “Shumë njerëz që nuk kishin kurajë të qëllonin kur ishin në fronin e luftës, që kishin frikë nga të gjithë gjatë kohës së paqes, erdhën për të treguar ‘kurajën’ e tyre tek fëmijët dhe njerëz që ishin të lidhur,” tha ai. /BIRN/