Takimi pa Kurtin, ambasadori amerikan: Nuk do të ketë një Bosnje të dytë në Kosovë
Një takim u mbajt këtë të martë në ambasadën amerikane në Prishtinë, me përfaqësues të institucioneve të qeverisë dhe të opozitës, kjo për të diskutuar për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pjesë e këtij takimi nuk ishte kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Vetë ky i fundit ka treguar se nuk ka marrë një ftesë të tillë nga amerikanët.
Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier në një reagim për mediat ka zbuluar detaje në lidhje me takimin që u mbajtën në lidhje me asociacionin ku ishin të pranishëm përfaqësues të Presidencës, Kryeministrisë, partive politike dhe shoqërisë civile. Shefi i diplomacisë amerikane shprehu edhe njëherë angazhimin e qeverisë amerikane se nuk do të lejojë krijimin e një Bosnje të dytë në Kosovë.
“Nuk mbështet asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës ose që kërcënon sovranitetin, pavarësinë dhe karakterin multietnik të saj. Ne kundërshtojmë rreptësishtë krijimin e një entiteti që i ngjan Republikës Sërpska në Bosnje dhe Hercegovinë”, tha Hovenier.
Ambasadori amerikan shtoi edhe se Shtetet e Bashkuara presin nga Kosova që të përmbushin marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut në Bruksel, pjesë e të cilave është edhe asociacioni, duke ofruar dhe mbështetje.
Qeveria e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke thënë se nuk mund të lejojë krijimin e një strukture njëetnike me kompetenca ekzekutive. Idenë e formimit të tij e kanë kundërshtuar edhe qeveritë e kaluara, duke e konsideruar si një mekanizëm që mund t’i sjellë telashe Kosovës, pasi do të kishte qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural.